Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë hapur kundër vazhdimit të udhëheqjes së kësaj partie nga kryetari aktual Lumir Abdixhiku edhe në mbledhjen e Kuvendit të kësaj parite, duke rikujtuar se rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është i painjorueshëm dhe se për të njëjtin duhet të ketë përgjegjësi konkrete politike.
Ajo ka deklaruar se është e vetmja që i ka kërkuar publikisht dorëheqjen kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas humbjes së fundit zgjedhore.
“Jam e vetmja që i kam kërkuar publikisht kryetarit dorëheqjen pas rezultatit të 28 dhjetorit, rezultat i cili nuk mund të injorohet. Kam ofruar edhe dorëheqjen time”, ka thënë Bajrami gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, ku po vendoset për ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut.
Në vijim të fjalës, ajo ka kujtuar mënyrën se si Isa Mustafa kishte vepruar pas humbjes historike të vitit 2021, duke e vendosur atë si standard të përgjegjësisë politike brenda LDK-së.
“Asnjëri nga ju nuk e përmendi faktin se si ka ardhur deri te marrja e mandatit të kryetarit Abdixhiku. Ka pasur një rezultat të rëndë zgjedhor në vitin 2021; Isa Mustafa e ka marrë përgjegjësinë, jo vetëm duke thënë se e merr përgjegjësinë, por ka dhënë dorëheqje duke mos kërkuar që dorëheqja e tij të votohet, ka shkuar në shtëpi dhe ne delegatët i kemi vazhduar punimet dhe kemi zgjedhur kryetarin e ri”, tha ajo.
Kujtojmë se me votim të fshehtë, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke vendosur për ‘ofrimin e dorëheqjes’ së kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku, në fjalimin e tij para delegatëve, e kishte ofruar dorëheqjen për shqyrtim nga Kuvendi i partisë, duke kërkuar që përmes votëbesimit të përcaktohej drejtimi i mëtejmë politik i LDK-së dhe pozicioni i tij si kryetar.
“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, ka deklaruar ai.