Fitore Pacolli e raportoi për ngacmim përmes telefonit, dërgohet në mbajtje qytetari që e konfrontoi atë ditë më parë – Detaje nga Policia

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli e ka denoncuar në polici Hazir Hoxhën, pasi sipas saj ai e ka ngacmuar dhe shqetësuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Enis Pllana ka thënë për lajmi.net se pas identifikimit ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, shkruan lajmi.net.
“Me datë 29.07.2025, ankuesja ka denoncuar në polici se është ngacmuar dhe shqetësuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike nga një i dyshuar. Hetimet e përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, menjëherë kanë trajtuar rrethanat e denoncuara, me ç’rast pas identifikimit dhe intervistimit kanë arrestuar të dyshuarin. Ndaj të njëjtit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është inicuar një hetim në drejtim të veprës penale “Ngacmim” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, ka thënë Pllana për lajmi.net.
Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli dhe kryetari i këshillit të fshatit Bellanicë të Malishevës, Hazir Hoxha, po ashtu ishin përplasur keq gjatë një emisioni drejtpërdrejt.
“Në qoftë se Hazir Hoxha e ka marrë një cent prej dikujt kurrë jeta ime mos qoftë.. e fëmijëve të mi. Unë jam misionar, nuk jam mercenar. Mosmë ofendo..”, ka thënë Hoxha në Tëvë1.

Lexo edheEMRI/ Tritoli në lokalin në Rrugën e Durrësit, arrestohet 46-vjeçari nga Lushnja
Tutje, Pacolli ka insistuar nëse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është personi që i ka dhënë para atij për të dalë në publik me akuza të tilla, mirëpo Hoxha ka mohuar një gjë të tillë.
“Unë nuk dalloj parti sepse krimi nuk njeh as parti, as fe, as komb. Të lutem mos e ul veten kaq poshtë”, është shprehur Hoxha.














