Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa ndaj dy shoferëve që janë kapur duke qarkulluar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar sigurinë në trafik.
Rastet kanë ndodhur më 2 gusht 2025, rreth orës 20:10, në rrugën transitore Shtime–Belincë, ku Njësia e Komunikacionit Rrugor ka identifikuar dy kundërvajtës të rëndë në zonë me kufizim shpejtësie prej 60 km/h:
Shoferi B.G. (42 vjeç), me veturë të tipit Volvo dhe targa të huaja, është kapur duke vozitur me shpejtësi prej 118 km/h. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh dhe ndalim i drejtimit të mjetit për 3 muaj në territorin e Republikës së Kosovës.
Shoferi F.M. (53 vjeç), me veturë Audi me targa vendore, është kapur me shpejtësi prej 121 km/h. Ai është dënuar me gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative, si dhe ndalim të drejtimit të mjetit për 3 muaj.
Policia apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, për të parandaluar aksidentet dhe për të siguruar një mjedis më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Qytetarët mund të raportojnë shkeljet përmes numrave zyrtarë të Policisë:
192, 0290/326-250, 0290/322-406
Ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”./IndeksOnline./