back to top
Tuesday, September 16, 2025

FËMIJA I PALINDUR

Të ngjajshme

Kapet sasi e madhe e mbathjeve false, Dogana jep detaje

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës gjatë një kontrolli...

Vdes në Spitalin e Pejës i burgosuri T.Zh

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve...

Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë pritet të kemi mot stabil, me...

Adem Gashi

Një monografi për një ngjarje shumë të njohur nga një autor “i panjohur”. E, megjithatë, ne nuk i prekim kufijtë e njohjes, kufijtë e të dukshmes dhe të të padukshmes. Pikiata e hulumtimit të Afrim Hysenajt lëshon spirancën këtu e dy dekada më parë, pikërisht në Abri të Epërme, ku kishte ndodhur hataja, masakra e familjes Deliaj nga forcat serbe. Jehona e kësaj ngjarjeje, nga një fshat i vogël, kishte përthekuar globin.

Duke e lexuar sot këtë monografi ne bindemi se nuk dinim asgjë më shumë se një maje ajsbergu dhe ritmi i kohës, si një det veriu, mbulonte edhe më shumë me vellon e tij të akullt një vullkan që ziente përbrenda.

Hysenaj, duke qenë një nga dëshmitarët e parë të kësaj masakre, sikur i thotë vetes: lëviz ti një çikë mekanizmin e lëri të tjerët të flasin. Në këtë plan më vjen goxha i çuditshëm qëndrimi i tij dhe forca për ta disiplinuar vetveten, për ta ruajtur distancën emocionale, për ta fjetur subjektivizmin deri në shkallën e një vrojtuesi asnjënës. Sikur thotë, “unë po bëj vetëm regjistruesin e rrëfimeve tuaja”. Kjo është ajo që njihet si disiplinë shkencore e një shkalle të admirueshme, aq më tepër, kur në planin e kulturës shkrimore, ai vjen me një përvojë shumë modeste. Dikush nga cinikët mund të thotë, “po ç’iu desh kjo atij!?”, dhe ai, prapë me modesti olimpike, mund t’ua kthejë: “Ju ndaloi njeri ta bënit ju?”

Gjëra të arkivuara autori ka ruajtur tash e dy dekada, po ngulmimin hulumtues me përqendrim e bën tash e një vit. Në plan të strukturës ai ka vizatuar një kornizë sinopsisi prej shtatë kapitujsh, duke e nxjerrë në plan të parë MEMO-n, ku shpalon fabulën e tragjedisë thuaja në mënyrë telegrafike. Pastaj me rëndon një për një dëshmitë e drejtpërdrejta të atyre që e mbijetuan tragjedinë, të atyre që qenë ndër të parët që e panë, të atyre që bënë varrimin, të atyre që u dhanë zë edhe zërave të të vrarëve.

Në aspektin tipologjik, monografia “Toka skuq e qielli nxin” tejkalon modelin panoramik dhe metodikën teorike shkollore, duke i dhënë dorë ndërtimit në formë mozaiku, ku pleksën lirshëm fakti, arti, jeta.

Dëshmitë gojore të bashkëfolësve Hysenaj na i sjell me tërë autenticitetin, pa prekur e ndërhyrë në strukturën gjuhësore sintaktike, pa retushuar e korrektuar shprehjet, frazat e konstruktet sa dialektore, po aq edhe krahinarizmash; sa gjysmëstandarde, po aq edhe standarde. Një punë me durim e vullnet të skajshëm.

Ndoshta këtu qe e rendit të shtroja për diskutim, që në krye të herës, titullin e monografisë. Përse nuk e bëri thjesht “Masakra e Abrisë së Epërme”? Ndoshta nga mëtimi për ta thyer klishenë, skemën! Ndoshta nga përkushtimi për ta ngjyrosur skenën e atyre ditëve e netëve, kur të strehuarit nëpër tenda maleve s’shihnin tjetër veçse granata, predha, plumba që skuqnin tokën, nën një qiell të brustë e të nxirë!

Përtej punës-detyrë prej redaktori, me Afrimin kemi ndenjur shumë e jemi takuar shpesh gjatë kësaj kohe. Më kërkonte ai, e kërkoja unë. E shihja se si lëvizte labirintit të ferrit të Dantës për ta nxjerrë në ditën për diell atë të padukshmen, të panjohurën. Një hutim intelektual që i lexohej në sy, në gojë, në ballë, sikur pyeste: “A do t’ia dal?”

Ai na e solli këtu në tërë përmasën masakrën e Abrisë së Epërme: tragjedinë, dramën, vuajtjen, persekutimin, çmendinë njerëzore të pushtuesit; ai na e solli këtu listën e të vrarëve, e të masakruarve, të të mbijetuarve; ai na i solli këtu fotografitë e tyre, jetëshkrimet e tyre, varret e tyre; na e solli vogëlushen disajavëshe të mbijetuar nën trupin e nënës së vrarë; na e solli Valmirin me biberon, të vrarë pa i mbushur dy vjet; na e solli… Ah, mbani frymën! Na e solli FËMIJËN E PALINDUR që priste vetëm ditët të vinte në jetë. Një nuse në muajin e nëntë të shtatzënisë. Halla i thotë: “Moj bijë, unë e kam gjetë emnin e këtij fëmije. Do t’i them Malsor ose Malsore, se në mal e nisi jetën dhe ka me ardhë me emnin e vet”. Jo, ai nuk erdhi. E vranë pushtuesit mizorë duke ia masakruar të ëmën. Fëmija i palindur, “Malësori” ose “Malësorja”, nuk ka as varr, por ka djepin e përjetshëm në mitrën e nënës. Mjaft! Nuk mban më NJERIU.

Ja, këtë na e solli Afrim Hysenaj. Kjo është monografia, ndër më të veçantat për luftën, që na dëshmon se ku i ka rrënjët liria jonë sot.

 Prishtinë, shtator 2018

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz