Shkarkimi i Qeverisë Kurti vetëm pas 52 ditësh qeverisjeje dhe kërkesa e Presidentit për formimin e një qeverie të re me partinë e dytë të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, ka bërë që kriza institucionale të thellohet ende më shumë – shkruan Syri.net Kosova.
Tani kur i gjithë vendi është në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese rreth dekretimit të presidentit të Republikës Hashim Thaçi, kanë lindur dilemat rreth besueshmërisë së kësaj Gjykate!
A janë të ndikuar nga politika gjykatësit e Kushtetueses? Cili do të jetë vendimi final që ata do të marrin gjatë këtij muaji?
Praktikat në Kosovë gjithmonë tregojnë që përzgjedhjet e emrave që bëhen nëpër postet publike kanë mbështetje direkte apo të tërthortë nga politika kosovare dhe grupe të caktuar të interesit. Lidhur më këtë Syri.net Kosova, ka bërë një hulumtim sa i përket përbërjes së trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese.
Kush janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese?
Në përbërjen e këtij trupi gjykues të Kushtetueses janë 9 gjyqtar të cilët zgjedhën ekskluzivisht nga Kuvendi i Kosovës dhe në fund marrin dekretin nga Presidenti/ja i/e vendit. Puna e tyre është të vlerësojnë nëse është shkelur apo jo Kushtetuta e vendit dhe në rast se po, marrin vendime duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe aktet ligjore e nënligjore. Ndërsa mandati i tyre është nëntëvjeçar pa mundësi të riemërimit.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama Hajrizi është zgjedhur në këtë post më 21 maj të vitit 2015, dhe është rizgjedhur për një mandat të dytë më 22 maj 2018-tës. Deri në emërimin e saj si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, në vitin 2012, kryetarja Rama-Hajrizi ka qenë pjesë e grupit të parë të të emëruarve në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, ku në vitin 2008, është emëruar Konsulle e parë e Përgjithshme dhe themeluese e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, pozitë kjo që shërbeu gjatë viteve 2008-2012.
Po kush është kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama Hajrizi?
Arta Rama Hajrizi, në biografinë e saj ka të shkruar se është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, por në fakt ajo sipas të dhënave të publikuara në faqen e Fakultetit Juridik të UP-së, është vetëm asistente, titull ky që ka dallim nga ai i profesorit të rregulltë, ashtu siç e kërkon edhe ligji për Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht neni 4 pika 1.2, ku thuhet “gjyqtarët e GJK duhen të jenë juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm profesional me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese të dëshmuar, mes tjerash, përmes punës profesionale si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, shërbyes civilë ose mësimdhënës universitarë dhe punë tjera të rëndësishme të natyrës juridike”, e që na rastin konkret nuk është plotësuar ky kriter.

Arta Rama Hajrizi, menjëherë pas emërimit në postin e të parës në Kushtetuese, kishte rehatuar bashkëshortin e saj si nëpunës në Qeverinë e Kosovës. E për t’ia siguruar një vend pune në Ministrinë e Drejtësisë, ishte përkujdesur ministri i Drejtësisë, i asaj kohe Hajredin Kuqi. Orhan Hajrizi bashkëshorti i kryetares Rama Hajrizi, kishte marrë postin e Udhëheqësit të Divizionit për Komunikim Publik, ndërsa tani ai ka ndërruar detyrën dhe mbanë pozitën e drejtorit të Departamentit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këtë post Orhan Hajrizi e mori gjatë kohës së udhëheqjes së kësaj ministrie nga Enver Hoxhaj i PDK-së.

Anëtari Bajram Ljatifi u emërua gjyqtar me Dekretin e Presidentit më 9 gusht të vitit 2018, ndërsa Zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh më 17 shtator të po atij viti. Ljatifi paraprakisht ishte pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si anëtar që përfaqësonte koalicionin “VAKAT” nga minoritetet, pozitë të cilën e mbajti për tre mandate të tjera të njëpasnjëshme nga viti 2008 deri në 2018.

Anëtarja tjetër e trupit gjykues është Selvete Gërxhaliu Krasniqi. Ajo u zgjodh në këtë pozitë nga Kuvendi i Kosovës me 66 vota, më 30 nëntor të vitit 2015, vetëm një vit pasi dështojë në marrjen e votave për deputete nga Lista zgjedhore e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.

E bashkëpartiakët e gjyqtares Gërxhaliu Krasniqi që ishin deputet të asaj legjislature, votuan pro zgjedhjes së saj ndërkaq grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtonte ashpër zgjedhjen e saj si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe Agim Krasniqi, bashkëshorti i gjyqtares Gërxhaliu Krasniqi, ka një të kaluar me LDK-në. Ai kishte qenë deputet i këtij subjekti politik në legjislaturen e Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2010-2014.
Anëtari tjetër i trupit gjykues është Bekim Sejdiu. Ai u zgjodh në këtë pozitë në prill të 2015 si gjyqtar. Në të kaluarën ka qenë këshilltar politik në kabinetin e Ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni. Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është asistent në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.
Edhe Safet Hoxha mori këtë pozitë në vitin 2018 pas besimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët e votuan me 62 vota për. Hoxha ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me politikën. Ai para se të merrte postin e gjyqtarit ishte kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Ndërsa në vitin 2013 kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në komunën e Suharekës, komunë kjo ku Hoxha ishte edhe asamblist.
Emërimin e tij e kishin kundërshtuar edhe shoqëria civile, me theks të veçantë organizata “Çohu”, e cila kishte kërkuar që të mos dekretohet Safet Hoxha i cili njihej për të kaluarën e tij funksionale politike.
Në biografin e Hoxhës, thuhet se është ligjërues në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”. Por Syri.net Kosova ka kontaktuar Rektoratin të këtij universiteti për të kuptuar se që sa kohë është i angazhuar dhe në çfarë titulli akademik ka. Në përgjigjen e rektoratit të UP “Ukshin Hotit” thuhet se Safet Hoxha ka punuar si mësimdhënës por nuk ka pasur asnjë thirrje akademike.
“Safet Hoxha, ka punuar në cilësi të mësimdhënësit të angazhuar në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, marrëdhënie jo e plotë e punës, që nga themelimi deri në vitin e kaluar. Aktualisht i njëjti nuk është duke punuar në Universitet, në asnjë cilësi. Z. Hoxha nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të plotë pune te ne dhe nuk ka pasur asnjë thirrje akademike”.
Gresa Cakaj Nimani është dekretuar si gjyqtare më 30 dhjetor të vitit 2015. Para emërimit në këtë post, Cakaj Nimani ka shërbyer si këshilltare e lartë ligjore dhe së fundmi ishte udhëheqëse e ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), në Kosovë.
Gjyqtarja Gresa Cakaj kishte votuar pro kërkesës së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili i kërkonte atëkohë Kushtetueses që t’i jepte kompetenca mbi Kuvendin për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, edhe pse Kosova është republikë parlamentare. Cakaj Nimani është motra e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakajt.

Anëtari tjetër i trupit gjykues të Kushtetueses është Nexhmi Rexhepi. Ai u emërua si gjyqtar më 9 gusht të vitit 2018 dhe mori 66 vota nga deputetët e Kuvendit. Por para se ta merrte këtë detyrë,Rexhepi ishte Ambasador i Kosovës në Republikën e Sllovenisë. Ndërsa gjatë viteve 2009 – 2013 ka shërbyer si ambasador i parë i Kosovës në Mbretërinë e Holandës, post të cilin e mori gjatë kohës kur në qeverisje ishin LDK-PDK. Vlen të theksohet se Rexhepi nuk ishte zgjedhur si ambasador i karrierës, por ishte emëruar atëkohë si ambasador politik. Para se të bëhej pjesë e Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës, Nexhmi Rexhepi ka punuar si mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe këshilltar ligjor në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë.

Për më tepër, Rexhepi ka punuar edhe në Qeverinë e Kosovës në Ministrinë për Energji dhe Miniera, si drejtor për çështje juridike; Gjykatën e Qarkut në Prishtinë; Qendrën për Mbrojtje Juridike Penale (OSBE); Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës; Asociacionin për Trajnim Akademik; si dhe këshilltar ligjor për disa kompani dhe projekte të ndryshme.
Radomir Laban, gjyqtar nga minoritetet, ka pasur fletarrest të lëshuar nga INTERPOL-I para përzgjedhjes së tijn në këtë pozitë. Sipas Gjykatës Themelore në Kralevë, ai ishte dënuar me 6 vjet burgim pasi ishte shpallur fajtorë për marrje të ryshfetit. Procesi ndaj tij në Serbi kishte zgjatur pesë vjet nën akuzat për shmangie tatimi e akcize në kuadër të veprimtarisë për një grup kriminal.

KMDLNJ kishte kërkuar që të mos dekretohej Radomir Laban, pa u vërtetuar e kaluara e tij e dyshimtë, por, pavarësisht kësaj, Presidenti Thaçi e kishte dekretuar atë si gjyqtar në vitin 2018. Në këtë mënyrë për nëntë vitet e ardhshme, Laban është i mandatuar të jetë në përbërjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përkundër që gjatë dekretimit të tij thuhet se është shkelur ligji përkatësisht neni 4 pika 1.3 ku thotë; “individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për vepër penale” – shkruan Syri.net Kosova.
Remzije Istrefi Peci mori mandatin nëntëvjeçar si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese me pëlqimin e 83 votave të deputetëve në seancën e 6 korrikut të vitit 2018. Para se të emërohej gjyqtare ajo ka qenë profesoreshë e asociuar në Fakultetin Juridik që nga viti 2012. Istrefi Peci për dhjetë vjet punoi si Këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE-së në Kosovë, dhe shërbeu edhe si këshilltare në institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë UNDP-në, ECMI-në, KJI-në dhe KIPA-n. Së fundmi ajo ishte Koordinatore e Zyrës së programit Erasmus+ për Kosovë. Remzije Istrefi Peci është bashkëshortja e Florin Pecit, këshilltar politik i ish-ministrit të financave, Bedri Hamza.
Nga hulumtimi i Syri.net Kosova shihet se pothuajse gjatë proceseve të emërimeve të të gjithë gjyqtarëve nuk është respektuar ligji 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese,konkretisht neni 4, I cili rreth kushteve shtesë për emërimin e gjyqtarëve, në pikën 1.2 thotë se gjyqtarët e kësaj gjykate duhen të jenë “juristë të shquar me reputacion të shkëlqyeshëm professional, të kenë me jo më pak se dhjetë (10) vjet përvojë pune profesionale veçanërisht në fushën e së drejtës publike dhe kushtetuese, të jenë individë me reputacion të shkëlqyeshëm moral, të cilët kanë aftësi të plotë veprimi dhe të cilët nuk janë dënuar për vepër penale”.
Shkelja e këtij ligji që ka lënë gjurmë më së shumti është dekretimi i gjyqtarit Laban nga Presidenti Thaçi, ndonëse ai kishte të kaluar penale.
Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, në një bisedë për Syri.net Kosova ka thënë se përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, nuk është sipas dispozitave ligjore që kërkon vet ligji për Gjykatën Kushtetuese, rreth kritereve për t’u bërë gjykatës.
Smaka thotë se ai personalisht gjithmonë ka pasur hezitime rreth vendimeve që merren nga kjo Gjykatë, pasi që kur ka qenë deputet i legjislaturës së tretë të Kuvendit ka parë se si emërohen pa kritere gjyqtarët e kushtetueses.
“Që nga themelimi i kësaj Gjykate ka pasur emërime jomeritore dhe unë kam qenë deputet i legjislaturës së tretë të Kuvendit dhe kam parë se si zgjedhën këta gjyqtarë në baza partiake dhe pa asnjë kriter që kërkohet nga ligji për Gjykatën Kushtetuese. Edhe kjo përbërje nuk dallon nga ato të tjerat”.
Tutje Smaka shton se, duke u bazuar në aspektin ligjor, ai pret që Gjykata të konfirmojë aktvendimin e vet preliminar, duke konstatuar se nuk mund të formohet Qeveria e re pa partinë fituese të zgjedhjeve.
“Nga aspekti juridik pres që Gjykata Kushtetuese të konfirmoj aktvendimin e vet preliminar, duke konstatuar se nuk mund të formohet qeveria e re pa subjektin politik që ka shumicën në Kuvend. Kurse neni 95, paragrafi i parë, nuk i referohet formimit të qeverisë pas miratimit të mocionit të mosbesimit, por për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Kurse paragrafi i dytë e specifikon se nëse kryeministri jep dorëheqje, invaliditeti, sëmundje etj, por që në këtë rast nuk ka ndodh asnjëra, përkundrazi kryeministri është në pozitë dhe po punon. Me fjalë të tjera absolutisht nuk i referohet formimit të një qeverie të re qysh po don opozita pa PDK-në, në këto kushte shumë të mjegullta dhe konfuze ”.
Në fund, Smaka i tha Syri.net Kosova se nëse merret një vendim tjetër që lejon formimin e qeverisë së re, po të kishte një instancë të shkallës së dytë, ai vendim do të rrëzohej.
“Sikur të kishte një instancë të shkallës së dytë një vendim tjetër që do të lejonte formimin e qeverisë, pa kurrfarë dileme ai aktvendim do të anulohej.”
Kurse Gzim Shala nga IKD për Syri.net Kosova tha se vet zgjedhja e gjyqtarëve përmes një procesi politik që është një standard kushtetues i vendosur në shumë kushtetuta të botës, lë shumë dilema.
“Vet fakti që gjyqtarët zgjedhën përmes një procesi pothuajse politik që është një standard kushtetues e i vendosur edhe në shumë vend të tjera të botës, në rastin tonë zgjedhen nga Kuvendi i cili ka një përbërje politike, por mbi të gjitha Kuvendi duhet të respektojë procedurën e zgjedhjes së gjyqtarëve në kuptimin që në këtë Gjykatë të dërgojë njerëz që kanë profesionalizëm dhe nuk kanë ndikime politike, në kuptimin e të kaluarës së tyre. Deri më tani ne kemi pasur vazhdimisht kritika në përzgjedhjen e gjyqtarëve të GJK për shkak se janë zgjedhur persona që në të kaluarën e tyre kanë qenë pjesë e subjekteve të caktuara politike. Për këtë arsye, pavarësisht se cila parti e ka shumicën, duhet të ketë kujdes të veçantë për këtë pjesë e të mos manipulojë”.
Shala thotë se pa marrë parasysh përbërjen, në fund të ditës të gjithë duhet të pranojmë çfarëdo vendimi që sjellë Kushtetuesja.
“Pavarësisht përbërjes dhe përzgjedhjes se si ka shkuar, si në secilin rast, por edhe në këtë të fundit, duhet të respektohet nga të gjithë, pasi një gjë e tillë është një aspekt themeltar i vet funksionimit të Gjykatës Kushtetuese për sistemin e Republikës së Kosovës” – përfundoi Shala për Syri.net Kosovën.
Situata politike në vend është në një udhëkryq që vështirë do mund të jepte një rezultat të kënaqshëm për të gjitha palët. Në bazë të hulumtimit tonë del se fati politik i Kosovës është në dorën e gjyqtarëve të ardhur nga vet politika.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, nën pretendimet për shkeljen që ka bërë Presidenti Thaçi me dekretimin e mandatarit nga radhët e LDK-së. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për formimin e Qeverisë së Re të Kosovës. Kjo vlen derisa Gjykata të shqyrtojë lëndën e dërguar nga partia Vetëvendosje, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit.
Kjo masë e pezullimit është në fuqi deri më 29 pasi LVV kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme, për çka Gjykata i dha të drejtë.
Kushtetuta nuk përcakton një afat të qartë për fituesin e zgjedhjeve që ka të drejtën e mandatarit, se sa mund të zgjasin negociatat politike. Afatet kushtetuese nisin në momentin që koalicioni apo partia fituese e propozon kandidatin për kryeministër.
Në vitin 2014, rreth 6 muaj zgjati kriza politike deri në formimin e qeverisë së re, sepse PDK si fituese nuk e bënte dot shumicën e nevojshme parlamentare. Kësaj here, ish-kryetari i PDK-së, tash president, Hashim Thaçi, e priti vetëm 20 ditë Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Edhe pse pati një letërkëmbim zyrtar, nuk pati një refuzim nga Kurti, që kërkonte shpjegime nga presidenti. Ky i fundit, ia kaloi të drejtën e mandatimit, LDK-së, që i humbi zgjedhjet. Ndryshe kishte ndodhur pak muaj më herët.
Në vitin 2019, kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, presidenti Thaçi iu drejtua koalicionit fitues PAN për emrin e një mandatari të ri, por Kadri Veseli si lider i koalicionit, e refuzoi një gjë të tillë.
Thaçi menjëherë shpalli zgjedhjet e 6 tetorit, ku ndodhi edhe përmbysja më e madhe politike në skenën kosovare.
Vetëvendosje kërkon zgjedhje të parakohshme pas rënies së qeverisë, ndërsa ish-partneri i saj e ka formuar një koalicion të ri qeverisës në pritje të vendimit të Gjykatës.
Nëse Dekreti i Presidentit vlerësohet si i rregullt nga Gjykata, i hapet rruga qeverisë së Avdullah Hotit. Kjo do të ishte hera e parë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, që një qeveri formohet nga humbësit e zgjedhjeve duke përjashtuar fituesin nga kjo mundësi kushtetuese.
Nëse Gjykata e zhvlerëson Dekretin e presidencial, atëherë, Hashim Thaçit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë zgjedhjet.
PDK thotë se pas pandemisë, duhet të ketë zgjedhje, por jo tani.
Në pritje të vendimit të Gjykatës, Kosova është në ankth të madh, sepse vendi është ndarë në dy pjesë, në ata që ende rropaten me regjimin e vjetër dhe të tjerët që shpresojnë se ndryshimi i filluar me 6 tetor nuk mund të përmbyset me kaq lehtësi dhe shpejtësi në emër të proamerikanizmit dhe një lufte të poshtër politike.
Sondazhet e fundit, e nxjerrin VV-në edhe më të fuqishme se më parë, ndërsa partitë e tjera duket se kanë pësuar rënie, sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës.
Cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të respektohet, por pak gjasa ka që partia e Albin Kurtit, e cila e fitoi pushtetin nga rezistenca me protesta e aksione kundër qeverive të kaluara, ta lëshojë qeverinë në qetësi e të presë në heshtje edhe 3 vjet.
Të kalitur me protesta, tashmë edhe më të mbështetur nga njerëzit e zhgënjyer pas rrëzimit të “qeverisë së shpresës”, aktivistët e VV-së mund të nxisin një revoltë masive popullore.
Pavarësisht të kaluarës së tyre, lidhjeve me politikën, pa të cilat zor se do të mbërrinin në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj kanë në duart e tyre një vendim me peshë të jashtëzakonshme.
Është në interesin e Kosovës, që të veprojnë e të vendosin në frymën kushtetuese, për ta ruajtur demokracinë e zgjedhjet e lira, që të mos e humbasin kuptimin e tyre, mos e dëmtojnë legjitimitetin e votës, duke shmangur kështu edhe një krizë të re me pasoja të paparashikueshme.