Europol mbështeti autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Ekuadori dhe Holanda në çmontimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të drogës në shkallë të gjerë, të lidhur me kartelin ekuadoras “Los Lobos”.
Hetimi, i nisur në janar 2025, çoi në arrestimin e 16 të dyshuarve – përfshirë një objektiv me vlerë të lartë (HVT) – si dhe në ndërprerjen e një skeme të ndërlikuar të pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Katër persona të tjerë do merren në pyetje gjithashtu . Sipas Europol, në operacion morën pjesë mbi 100 oficerë policie dhe 40 përfaqësues të autoriteteve gjyqësore, shkruan euronews.
Para ditës së aksionit, autoritetet kishin sekuestruar rreth katër ton kokainë në disa operacione të ndara, me konkretisht:
572 kilogramë në Ekuador;
2.6 ton në shkurt 2025 në Vlissingen, Holandë;
1.1 ton më 2 qershor 2025 në Roterdam, Holandë;
3.165 ton në Belgjikë.
Gjatë operacionit të fundit rezultuan:
16 persona të arrestuar;
4 persona të thirrur për marrje në pyetje;
26 kontrolle banesash;
4 pistoleta dhe 2 pushkë të sekuestruara;
810 mijë dollarë amerikanë para të gatshme të konfiskuara;
disa automjete të sekuestruara.
Sipas hetimeve, rrjeti ishte përgjegjës për trafikimin në shkallë të gjerë të kokainës drejt Evropës, duke përdorur kompani eksportuese frutash si mbulesë për aktivitetet e paligjshme.
Drogat fshiheshin brenda ngarkesave të ligjshme të eksportit, veçanërisht në kontejnerë frigoriferikë me fruta, dhe pozicionoheshin në mënyrë strategjike mes dërgesave të tjera për të shmangur zbulimin nga autoritetet.