Referuar raportit të vlerësimit prej 40 faqeve të publikuar të premten nga UEFA, Federata Evropiane gjykon se Gjermania është më e kualifikuar se Turqia për të mirëpritur dhe organizuar Kampionatin Evropian 2024.
Raporti i publikuar përmes DW thekson se të gjitha stadiumet, të cilat Gjermania thotë se do të përdoren për Evropian, janë ekzistues, asgjë më shumë se rikonstruksione minimale do të ishin të nevojshme përpara turneut. Ndërkohë, Federata Turke e Futbollit po planifikon të rindërtojë dy prej stadiumeve ekzistuese dhe të rinovojë një tjetër për Evropianin.
Mungesa e një plani veprimi në aspektin e të drejtave të njeriut ishte gjithashtu një çështje shqetësuese e theksuar në raportin e UEFA-s.
Zhvillimi aktual ekonomik në Turqi mund vendosë presion mbi investimet publike të planifikuara më parë. Hotelet dhe akomodimi i kufizuar në shumë qytete mund të jetë gjithashtu një tjetër shqetësim.
Gjithsesi Federata turke pretendon se ka të gjithë mbështetjen e popullit dhe të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Gjermanisë dhe kapiteni i formacionit fitues të Kupës së Botës, Brazil 2014, Philipp Lahm, i cili është gjithashtu ambasador i Gjermanisë në këtë ankand, deklaroi se raporti është sinjali që UEFA ka evidentuar punën dhe masat e marra kombëtarisht në muajt e fundit.
“Raporti dëshmoi se ne kemi ndërmarrë hapat tanë dhe kemi punuar shumë seriozisht për qëllimin tonë dhe UEFA ka evidentuar fuqitë tona”, deklaroi Lahm.
Nëse UEFA do të vendosë në favor të Gjermanisë, atëherë Lahm do të jetë në Komitetin Organizativ për turneun e vitit 2024. Stadiumi i Bayern Munich, “Allianz Arena” do të ishte një prej impianteve më kryesore. Fituesi i këtij ankandi do të shpallet më datë 27 shtator.