Ndonëse qeveria në largim pretendon se në mandatin e saj Kosova ka më shumë sovranitet dhe integritet, prania ndërkombëtare në Kosovës nuk po zvogëlohet.
Aleatët e Kosovës po vlerësojnë se gjendje e siguresë në veri të Kosovës nuk është në nivelin e duhur dhe për ketë misionet e NATO-së dhe të BE-së që garantojnë sigurinë duhet të vazhdojnë edhe më tutje.
Një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe BE-ja në lidhjen me misionin e saj për sundim të ligjit në Kosovës.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, dje ka bërë me dije se mandati i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) do të zgjatet edhe për dy vite të tjera.
Lajmin se ky mision do të jetë në Kosovës deri në qershor të vitit 2027 ajo e ka konfirmuar nga veriu i vendit.
Derisa mbante një flasim përpara stafit të EULEX-it, ajo ka treguar arsyet se pse ky mision duhet të vazhdojë të qëndrojë ende në Kosovë.
“Për të gjitha këto arsye, po e zgjasim mandatin e EULEX-it edhe për dy vite. Vlera juaj e shtuar është qartazi e dukshme për të gjithë. EULEX-i është misioni më i madh civil CSTP dhe i vetmi që operon në Ballkan perëndimor. Kjo pasi që një Kosovë e sigurtë dhe me prosperitet është thelbësor për sigurinë e gjerë në Evropë. Dhe është tregues i vendosmërisë së BE-së për Kosovën dhe rrugën e tyre drejt anëtarësimit”, ka thënë Kallas.
Kryediplomatja evropiane ka vlerësuar se prania e EUKLEX-it është kyçe në rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
“Është kënaqësi që jam këtu në këtë ditë me diell dhe shoh vet punën e rëndësishme që po bëni. Për 17 vjet, EULEX-i ka dëshmuar vlerat në vazhdimësi. Po ndihmoni në forcimin e sigurisë, sundimin e ligjit dhe pajtimin mes komuniteteve lokale. Qoftë kjo në monitorimin ditor të zonave të ndjeshme, trajtimit të të ndaluarve në ambiente të dala nga konflikti ose në këshillimin e institucioneve të sundimit të ligjit se si tu shërbejnë në mënyrë më të mirë komunitetit. Ose në punën tuaj mjekoligjore, për të qartësuar fatin e të pagjeturve dhe të që keqbërësit të vihen para përgjegjësisë. Kjo punë është e rëndësishme në ndërtimin e besimit mes komuniteteve dhe besimin në institucione, por edhe ndihmon familjet e pikëlluara që të kthejnë një faqe, që është e rëndësishme për pajtimin”, ka thënë Kallas.
Institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar ende në lidhje me këtë veprim të BE-së.
Deri me tani askush prej qeverisë në detyrë nuk e ka kundërshtuar qëndrimin e kryediplomates evropiane.
Por, ajo që dihet është se zyrtarët qeveritarë pretendojnë se në vitet e fundit niveli i sovranitet në veri është më i lart.
Një gjë të tillë e ka thënë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një intervistë për RTK, ai ka thënë se nën qeverisjen e tij është gjithçka më mirë.
“Krahasuar me para 5 vite, në Kosovë ekonomia është më mirë, sovraniteti është më mirë, integriteti territorial është më mirë, mirëqenia është më mirë”, ka thënë Kurti.
Derisa qeveria në detyrë po heshtë, vazhdimin e mandatit të EULEX-it e ka kundërshtuar njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani.
Ai ka vlerësuar se një gjë e tillë e zvogëlon sovranitetin e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme policore për rend publik.
“Nuk na duhet EULEX-i, zgjatja e mandatit deri më 2027 zvogëlon sovranitetin e Kosovës. Sa më shumë EULEX, aq më pak sovranitet. Sepse, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme policore për rend publik. S’ka nevojë për EULEX. “… EULEX-i sërish, me shpejtësi u përshtat, dhe dua t’u përgëzoj për punën, në veçanti për njësitë e policisë këtu në Mitrovicë, ku rendi publik ka qenë më në rrezik, si edhe në pjesë të tjera të vendit…”, paska thënë sot Kaja Kallas, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë. Në vitin 2018, kapaciteti i EULEX-it ishte zvogëluar në minimum.”, ka shkruar Ramadani.