Mëngjesin e sotëm, IndeksOnline ka postuar një video ku shihen bagerë që po thyejnë asfaltin, në një segment të rrugës Prishtinë-Podujevë.
Lidhur me këto punime, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se po ndërtohet një rreth-rrotullim i përkohshëm.
Në një deklarim për IndeksOnline, MMPHI-ja pohon se ky rreth-rrotullim po ndërtohet në segmentin Lluzhan-Gllamnik, bazuar në kërkesat për sigurinë rrugore dhe nevojat e banorëve lokalë.
“Vendimi për ndërtimin e këtij rreth-rrotullimi është marrë më vonë gjatë fazës së zbatimit të projektit.
Për realizimin e punimeve sipas projektit të aprovuar, si dhe për të mundësuar: vendosjen e instalimeve nëntokësore, rregullimin e rrjedhës së ujërave nga rruga, dhe sigurimin e një lidhjeje të përshtatshme me rrugët ekzistuese, është e nevojshme që ndërtimi i rreth-rrotullimit të kryhet me të gjitha shtresat e asfaltit, sipas standardeve teknike përkatëse” deklaron MMPHI-ja.