Erich Maria Remark lindi më 22 qershor 1898 në Osnabruck të Gjermanisë dhe u bë një ndër zërat më të fuqishëm të letërsisë evropiane moderne.
Ai nuk ishte vetëm një shkrimtar i madh, por një dëshmitar i thellë i shekullit më të përgjakshëm që Europa ka njohur. Emri i tij lidhet pazgjidhshmërisht me romanin “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”, një vepër që shënjoi një kthesë radikale në mënyrën se si u përshkrua Lufta e Parë Botërore në letërsi. Në moshën 18-vjeçare, Remark u rekrutua në ushtrinë gjermane dhe përjetoi tmerrin e llogoreve. Lëndimet fizike u pasuan nga plagët psikologjike, të cilat do ta ndjekin gjithë jetën. Pikërisht kjo përvojë jetësore u bë themeli emocional i krijimtarisë së tij.
Në një kohë kur nacionalizmi në Gjermani kërkonte heronj, Remark solli realitetin brutal të luftës, ku idealizmi vdes i pari dhe ku ushtari nuk është hero, por viktimë. “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” (1929) u përkthye në mbi 50 gjuhë dhe u shit në miliona kopje, por, gjithashtu, u dogj publikisht nga nazistët në vitin 1933, duke e shpallur autorin “armiku i shpirtit gjerman”. Remark u detyrua të largohej nga Gjermania dhe gjeti strehë fillimisht në Zvicër, më pas në SHBA, ku fitoi edhe shtetësinë amerikane. Letërsia e Remark nuk është propagandë; ajo është rrëfim i qetë dhe rrënjësor për njeriun që përpiqet të mbijetojë moralisht në një botë të përmbysur.
Në romanet e tij, si “Harku i Triumfit”, “Koha për të jetuar dhe koha për të vdekur”, apo “Dashuria e Zojës Q”, Remark përshkruan jo vetëm luftën me armë, por edhe luftën e brendshme dëshpërimin, dashurinë si shpëtim, dhe humbjen e pafajësisë. Gjuha e tij është e përmbajtur, pa patetizëm, me një stil që e refuzon romantizimin e konfliktit. Kjo qasje e bëri atë një shkrimtar universalisht të respektuar. Ai sfidoi narrativat zyrtare dhe tregoi se nderi nuk gjendet në flamuj, por në përpjekjen për të mbrojtur shpirtin mes rrënimit. Remark pati një jetë të lëvizshme dhe shpesh të vetmuar. Ai u lidh me figura ikonike si Marlene Dietrich, por gjithmonë mbeti i përndjekur nga hijet e së kaluarës.
Ishte një njeri i dëbuar, një ekzilant që e dinte se nuk kishte më një vend të vërtetë në botë, por që gjeti strehë në fjalë. Në këtë sens, ai është më shumë se një shkrimtar është një kujtesë e gjallë për atë që ndodh kur bota harron të dëgjojë zërin e njeriut të thjeshtë. Remark vdiq në vitin 1970 në Zvicër, por librat e tij lexohen ende në çdo kontinent. Ai i dha luftës një fytyrë njerëzore, jo për ta zbukuruar, por për të na kujtuar që kurrë më të mos e përsërisim. Në kohë kur bota sërish përballet me konflikte dhe humbje njerëzore, Remark mbetet një dritë e qetë dhe e fuqishme që na thotë se asgjë nuk është më tragjike sesa humbja e humanitetit. /Konica.al