Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, gjatë një interviste në emisionin e Betimi për Drejtësi, ka thënë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “anti-amerikanizmin e ka bindje”.
Në emisionin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova”, Hasani tha Kurti është anti-imperialist i ekstremit të majtë.
“Sa i përket profilit psikologjik dhe ideologjik do të thotë Albin Kurtin unë e kam përcjellë një kohë, kam pas edhe muhabet të afërt do të thosha për disa vite dhe e kam lexu, e kam përcjell dhe z. Kurti është anti-imperialist i ekstremit të majtë me kuptim mbi të gjitha anti-amrikanizmin, e ka bindje”, shprehet Hasani.
“Do të thotë ai dhe një rreth i caktum i njerëzve që i njoh- literatura që lexojnë, diskursin që kanë zhvillu dhe e zhvillojnë është do të thotë… se antiimperializmi ka lloj-lloj rrymash ideologjike siç quhet ajo fryma Seatel”, thotë Hasani.
Sipas Hasanit, Kurti bindjet e veta i ka fshehur me qëllim që t’i ruajë votat.
“Por ky i takon rrymës së ekstremit të majtë që ndryshon sepse ajo është bindje dhe ai këtë vazhdon ta fshehë dhe e ka fshehur prej kohës që vjen në pushtet duke e ditur sentimentin e përgjithshëm të popullit të Kosovës me qëllim ta ruajë votën. Politikisht kjo është jashtëzakonisht legjitime dhe deri ku të shkon – ecën, vazhdon dhe një moment e kupton që megjithatë edhe ideologjia i ka kufijtë e vetë”, përfundoi Hasani.
Më 12 shtator, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, njoftoi për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të kryeministrit Albin Kurti.