Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sot për herë të parë sanksione të posaçme kundër trafikimit të paligjshëm të njerëzve, duke shënjestruar udhëheqës të bandave kriminale, ndërmjetës dhe furnizues të pajisjeve për kontrabandimin e migrantëve, nga Azia deri në Ballkan dhe Afrikën e Veriut.
Sanksionet prekin një gamë të gjerë aktivitetesh kriminale – nga furnizimi me varka të vogla për kontrabandë, sigurimi i pasaportave të rreme, transferta ilegale përmes sistemit Hawala, kontrabandimi me kamionë apo varka, deri te drejtuesit e rrjeteve kriminale.
Masat përfshijnë ngrirjen e pasurive, llogarive bankare dhe ndalimin e veprimeve financiare me Mbretërinë e Bashkuar, duke synuar të paralizojnë aktivitetin kriminal.
Kjo iniciativë është pjesë e planit qeveritar “Plan for Change”, dhe është sanksioni i parë në botë i dedikuar për të luftuar trafikimin e njerëzve dhe krimin e organizuar të imigracionit të paligjshëm.
David Lammy, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, u shpreh: “Ky është një moment historik në përpjekjet tona për të ndalur krimin e organizuar të imigracionit. Ne do t’i gjejmë trafikantët kudo që të jenë dhe do t’i bëjmë përgjegjës. Mesazhi im për bandat që rrezikojnë jetë njerëzish për përfitime është i qartë: E dimë kush jeni dhe do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për t’ua ndalur”.
Emrat që u sanksionuan sot:
Bledar Lala, shqiptar, drejtues i operacioneve të një bande në Belgjikë që kontrabandon njerëz përmes kanalit anglez.
Alen Basil, ish-përkthyes policor në Serbi, që drejton një rrjet kontrabande të dhunshëm, bashkë me zyrtarë të korruptuar.
Mohammed Tetwani, i njohur si “Mbreti i Horgos” në Serbi, udhëheqës i bandës famëkeqe Tetwani që torturon refugjatët që nuk paguajnë.
Një kompani kineze, Weihai Yamar Outdoors Product Co, u sanksionua për shitjen e varkave të përdorura për trafikim të njerëzve drejt Britanisë.
Të tjerë individë të përfshirë në rrjetet e trafikimit:
Grupi i lidhur me Irakun:
Goran Assad Jalal, kontrabandonte migrantë në frigoriferë kamionësh.
Hemin Ali Salih, Dedawan Dazey, Roman Ranyaye, Azad, Nuzad dhe Nihad Khoshnaw – të gjithë të përfshirë në kontrabandë njerëzish dhe pajisje për udhëtime të rrezikshme nëpër kanal.
Rrjeti Hawala (transferime të paligjshme parash):
Muhammed Khadir Pirot, Mariwan Jamal dhe Rafiq Shaqlaway – të përfshirë në menaxhimin e pagesave për trafikantët nëpërmjet Hawala-s nga Iraku në Turqi dhe më tej.
Bandat nga Afrika e Veriut në Ballkan:
Banda Kazawi dhe banda Tetwani – të njohura për dhunë ekstreme ndaj migrantëve që nuk mund të paguajnë.
Yassine Al Maghribi Al-Kasaoui, drejtues i bandës Kazawi.
Grupet që prodhojnë pasaporta false në Ballkan:
Banda Kavač dhe Škaljari në Malin e Zi – kontrabandojnë me pasaporta false nëpër Turqi dhe Ballkan.
Dalibor Çurlik, Almir Jahoviq, Marko Petroviq, Nikola Vein, Ratko Zhivkoviq dhe Dejan Pavlovie – të gjithë të përfshirë në sigurimin e dokumenteve të falsifikuara.
Sanksionet përfshijnë:
Ngrirje pasurish – askush në Britani apo me lidhje britanike nuk mund të ketë marrëdhënie financiare me personat e sanksionuar.
Ndalesë udhëtimi – të sanksionuarit nuk mund të hyjnë ose të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndalesë për drejtues kompanish – ndalim për të qenë drejtor apo menaxher në kompani britanike.
Ky regjim sanksionesh u krijua nga ligji britanik për Sanksione dhe Pastrim Parash, dhe për herë të parë e targeton drejtpërdrejt krimin e organizuar të imigracionit. Ai përfaqëson një pjesë kyç të strategjisë “Ndalo, dëno, kthe” të FCDO-së për të parandaluar migrimin e parregullt dhe për të ndëshkuar ata që përfitojnë nga njerëzit në nevojë.