BallinaLajmeLajmet e FunditEmergjenca e re e QKUK-së, miliona euro për t’u ndërtuar, tani nuk...

Emergjenca e re e QKUK-së, miliona euro për t’u ndërtuar, tani nuk shfrytëzohet

Objekti i ri i emergjencës në QKUK, i nisur në vitin 2016 me një kosto prej 8 milionë eurosh, vazhdon të qëndrojë i papërdorur dhe i degraduar.

Një objekt që u ndërtua për të shërbyer si emergjencë moderne brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sot është kthyer në një hapësirë të harruar, që vetëm këtë funksion, nuk e ka.

Qasja në projektin që nisi me 8 milion euro, është e lehtë ngase nuk e ruan askush.

E funksioni i saj mbetet ai i një magazine.

Shtretër spitalor nga më të ndryshmit,dyshekë, dollap e aparatura janë vetëm në katin e parë të këtij objekti.

Në të ka gjurmë se po qëndrojnë edhe njerëz pa lënë anash edhe qentë endacakë duke e kthyer objektin në një deponi mbeturinash e për disa vetura, edhe parking.

Nisi në vitin 2016 si pjesë e një projekti për përmirësimin e infrastrukturës spitalore dhe lehtësimin e ngarkesës në repartin aktual të emergjencës.  Por, gati një dekadë më vonë, objekti asnjëherë nuk është funksionalizuar.

“Është e turpshme duke pasur parasysh projektet e tjera të rëndësisë së vogël ndërsa ky projekt me rëndësi shumë më të madhe, është neglizhu. Po kryhen projekte të ngjashme e pse të mos kryhet ky objekt që trajton pacientët. Kjo e bën të turpshme neglizhencën që kanë treguar të gjitha qeveritë, jo veç kjo tash”, ka theksuar për RTV Dukagjinin, Bujar Vitija, gazetar i sektorit të shëndetësisë.

Gjatë deklarimit në komisionin për Shëndetësi, ministri Arben Vitia para dy vitesh kishte deklaruar se emergjenca do funksionalizohet shpejtë.

Por viti 2025 e gjen prapë në po të njëjtën gjendje që sipas anëtarëve të komisionit të shëndetësisë, është tregues në vete.

“Është paaftësi dhe keqmenaxhim sepse të merresh me harrnime dhe jo me investime strategjike, është më e mira përgjigje për këtë qeveri të paaftë që nuk ka lënë gjurmë në këto 4 vite për të bërë përmirësim në sektorin e shëndetësisë”, ka deklaruar Armend Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë.

Por sot, emergjenca ekzistuese në QKUK vazhdon të punojë në kushte të vështira me mbingarkesë pacientësh dhe staf të pamjaftueshëm.

Siç ndodhë rëndom, pyetjeve nuk u është përgjigjur Ministria e Shëndetësisë lidhur me atë se a ka ndonjë projekt të rishikuar për objektin dhe kur pritet finalizimi i tij.

Përgjigje nuk ka kthyer as SHSKUK dhe as drejtori i QKUK-së, i cili ka udhëzuar që përgjigjet të kërkohen në MSH.

- Advertisement -