Emër i njohur për Real Madridin: Gjyqtari ndaj Espanyolit sjell kujtime të hidhura

Komiteti i Gjyqtarëve në Spanjë ka caktuar José María Sánchez Martínez për të drejtuar ndeshjen mes Espanyolit dhe Real Madridit, e cila do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje në stadiumin “RCDE”, në kuadër të xhiros së dytë të La Ligës.
Për Real Madridin kjo do të jetë paraqitja e parë në sezonin e ri të kampionatit spanjoll, pasi ndeshja e xhiros së parë ishte shtyrë.
Sipas “Mundo Deportivo”, Sánchez Martínez, i lindur në Murcia, konsiderohet një prej gjyqtarëve më të vlerësuar në elitën e futbollit spanjoll. Ai ishte gjithashtu një nga kandidatët për të përfaqësuar Spanjën në Kupën e Botës, por përzgjedhja përfundimisht ra mbi bashkëkombësin e tij Alejandro Hernández Hernández.
Kujtim i keq nga përballja e parë Espanyol – Real Madrid
Kjo do të jetë vetëm hera e dytë që Sánchez Martínez do të drejtojë një ndeshje të La Ligës mes Espanyolit dhe Real Madridit.
Përballja e parë ishte më 27 shkurt 2018 dhe nuk sjell kujtime të mira për madrilenët.
Në atë takim, Real Madridi u mposht 1-0 në transfertë nga Espanyoli.
Ndeshja e së shtunës do të jetë e para që Sánchez Martínez drejton këtë sezon në La Liga, megjithëse ai tashmë ka arbitruar një takim në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Real Madridi, skuadra që e ka pasur më shpesh gjyqtar
Asnjë skuadër nuk është drejtuar më shpesh nga Sánchez Martínez në kampionatin spanjoll sesa Real Madridi.
Ai ka arbitruar gjithsej 42 ndeshje të klubit madrilen në La Liga.

Lexo edheArteta i jep një tjetër goditje Real Madridit, mbyll derën për largimin e Zubimendit
Bilanci i Realit në këto takime është 27 fitore, shtatë barazime dhe tetë humbje.
Përballja e fundit e “Los Blancos” nën drejtimin e tij ishte në xhiron e 37-të të sezonit të kaluar, kur Real Madridi fitoi 1-0 ndaj Sevillas në stadiumin “Ramón Sánchez Pizjuán”.
Ndeshja para saj kishte përfunduar me humbje ndaj Mallorcës në xhiron e 30-të, në një moment kur madrilenët nisën të humbnin terren serioz në garën për titull.
Espanyoli me seri pozitive nën drejtimin e Sánchez Martínez
Sánchez Martínez ka drejtuar gjithashtu 13 ndeshje të Espanyolit në La Liga.
Bilanci i skuadrës katalanase në këto përballje është pesë fitore, tri barazime dhe pesë humbje.
Ndeshja e fundit e Espanyolit me Sánchez Martínez si gjyqtar ishte në xhiron e 15-të të sezonit të kaluar, kur katalanasit fituan 1-0 ndaj Rayo Vallecanos në shtëpi.
Statistikat e fundit janë veçanërisht pozitive për Espanyolin, pasi tri ndeshjet e fundit të skuadrës nën drejtimin e këtij gjyqtari kanë përfunduar me fitore.
Ndërkohë, Jorge Figueroa Vázquez do të jetë përgjegjës për sistemin VAR në përballjen mes Espanyolit dhe Real Madridit. /GazetaExpress/














