Gazeta Express ka siguruar kërkesën që presidentja Osmani ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese “për vlerësimin e konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113(3)(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Në hyrje thuhet se presidentja i është adresuar Kushtetuses pas përpjekjeve të vazhdueshme të saj për la lehtësuar procesin e një marrëveshjeje politike që do të rezultonte me konstituimin e Kuvendit.
Sa i përket masës së përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së mëtejme të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit, presidentja thotë se parandalon dëm të pariparueshëm dhe se është në interes publik.
Ndërsa në përfundim thuhet se mungesa e kuvendit po rezulton me rrezikim të ushtrimit të sovranitetit të Kosovës përmes përfaqësuesve të zgjedhur, formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushteteve dhe vlerave të Republikës së Kosovës.
“Nga sa u tha më lartë, vërtetohet se mungesa e Kuvendit dhe fakti që kemi një Qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara dhe pa mbikëqyrje parlamentare, si dhe cenimi dhe konflikti i kompetencave në mes pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, përfshirë cenimin e ushtrimit të kompetencave kushtetuese të Presidentes, po rezulton gjithashtu me rrezikim të (a) ushtrimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës përmes përfaqësuesve të zgjedhur (neni 2 i Kushtetutës), (b) formës së qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve (neni 4 i Kushtetutës), dhe c) vlerave të Republikës së Kosovës (neni 7 i Kushtetutës).”
Presidentja kësisoj ka kërkuar nga Gjykata që:
- Të shpallë kërkesën të pranueshme;
- Të miratojë kërkesën për masë të përkohshme;
- Ta bëjë vlersimin preventiv (ex ante) të konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit të Kuvendit pas afatit kushtetues;
- Ta zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të mungesës së konstiuimit të Kuvendit brenda afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO 124/25;
- Ta zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO 124/25;
- Ta zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO 124/25;
- T`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Dokumenti i plotë i siguruar nga Express: