Egnatia dhe Dinamo zbresin në fushë sonte për ëndrrën e madhe evropiane

Kjo e enjte është dita e Egnatias dhe Dinamos dy skuadrat që po kërkojnë të shkojnë sa më larg në futbollin evropian.
Skuadra kampione e vendit dhe ajo fituese e Kupës së Shqipërisë do të zbresin në fushën e lojës teksa do të zhvillojnë ndeshjet e tyre të para në playoffin e Europa League dhe Conference League.
Egnatia e ka shkruar tashmë historinë dhe e ka të siguruar pjesëmarrjen në fazën e Ligës në Conference League, por skuadra e drejtuar nga Nevil Dede do të kërkojë akoma më shumë, kualifikimin në fazën e Ligës në Europa League.
Pengesa e fundit drejt këtij objektivi për Egnatian është Lillestrom, një kundërshtar që mund të kalohet nga kampionët e vendit duke parë edhe paraqitjet e bëra në raundet e mëparshme.
Sfida do të luhet në orën 19:00 dhe Egnatia ka një avantazh në këtë përballje, faktorin fushë pasi luan përballë publikut të saj dhe një kohësisht ajo do të kërkojë të shfrytëzojë faktin se Lillestrom është në krizë rezultatesh teksa në kampionat në 4 ndeshjet e fundit nuk ka fituar asnjë.
Egnatia nuk do të ketë në fishe Ndrecan të skualifikuar për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën e kaluar dhe vendin e tij mund ta marrë Jago ose Ajetovikij.

Lexo edheRonaldinho mbërrin në Itali, sonte klubi i ri i bën prezantim spektakolar në plazh
Në orën 21:00 do të jetë radha e Dinamos që do të presë Pafos.
Pasi eliminoi Aluminij dhe Audan, skuadra e Ilir Dajës ka shansin e artë për të arritur në fazën e Ligës në Conference League dhe vetëm qipriotët e Pafos janë pengesa e fundit.
Ilir Daja është një trajner ekspert përsa iu përket kompeticioneve evropiane teksa në karrierën e tij ka mundur të kualifikojë Skënderbeun dhe Ballkanin në fazën e grupeve të kompeticionve të UEFA kështu që kjo eksperience do ta ndihmojë edhe me Dinamon me synimin që të bëjë mrekullinë edhe me skuadrën kryeqytetase.
Te Dinamo kthehet Përndreca që e shleu skualifikimin me karton të kuq, ndërkohë që Daja është në dilemë për të zgjedhur mes Ruben Silvas dhe Richards si titullarë në fushën e lojës














