Një vajzë e re nga Drenasi dyshohet se për dy vjet është keqpërdorur seksualisht, fillimisht nga profesori i saj e më pas edhe nga një polic. Ngjarja ka nxitur shumë reagime në vend – si tek qytetarët, ashtu edhe në spektrin politik.
Përderisa të parët kanë organizuar dy protesta, një në Prishtinë dhe një në Drenas, të dytët revoltën e tyre e shprehën në Kuvend, njofton Klan Kosova.
Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare, deputetët prej orës 13:00 deri rreth orës 17:00 kanë diskutuar për këtë çështje.
Megjithë diskutimet e gjata, deputetët në fund nuk kanë arritur t’i kalojnë as rekomandimet e nxjerra nga seanca për shkak se nuk kishte kuorum.
Pavarësisht kësaj, secili nga deputetët e pranishëm ka marrë nga 120 euro mëditje për pjesëmarrje në seancë.
Klan Kosova mëson se për dy e më shumë seanca gjatë një muaji deputetët maksimalisht paguhen 240 euro, pavarësisht rrogës bazë.
Përpos seancave të rregullta, deputetët shpesh thirrin edhe seanca të jashtëzakonshme sa herë ndodh ndonjë ngjarje me rëndësi politike apo sociale.
Nga këto seanca të jashtëzakonshme kanë dalë edhe shumë rezoluta me rekomandime, të cilat rrallë kanë gjetur zbatim.