Pak para nisjes së seancës për Demarkacionin, lobimin për votën pro ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë e ka nisur edhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli.
Ky i fundit ka nisur diskutim me deputet e VV’së, të identifikuar si krahu i Dardan Molliqajt. Bashkë me kryeministrin tek këta deputet të VV’së është edhe shefi i grupit parlamentar të LDK’së Avdullah Hoti.
Javën e kaluar, Kuvendi në dy raste provoi por nuk arriti të përmbyllë seancën me votim, ngaqë nuk ishin siguruar 80 votat e domosdoshme për kalimin e Marrëveshjes për Demarkacionin.
Gjatë fundjavës, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje, por ajo ende nuk i ka siguruar dy të tretat, apo 80 votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit.
Aktualisht, subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk po e mbështesin ratifikimin e Demarkacionit.



