Edhe Mitrovica e Veriut do ta ketë fatin e njëjte si të komunës së Podujevës.
Kjo komunë pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi që kryetari i saj i deritashëm, Goran Rakiq, është propozuar për zëvendëskryeministër në Qeverinë që do ta drejtojë Avdullah Hoti.
Tashmë i takon Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
Vendimin për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, ai e kishte marrë 4 ditë pas votimit të Qeverisë Kurti, ku Agim Veliu ishte bërë Ministër i Punëve të Brendshme.
Kësaj radhe situata është më ndryshe për shkak të pandemisë. Pikërisht për shkak të pandemisë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës janë shtyrë dhe akoma nuk ka një datë të re se kur do të votohet për të parin e kësaj komune.
Prandaj, mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Presidentit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, pritet edhe reagimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucion që ka detyrën për të organizuar zgjedhjet në vendin tonë./Gazeta Blic/