back to top
Wednesday, July 23, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditEdhe Apeli vërteton aktakuzën për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

Edhe Apeli vërteton aktakuzën për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

Të ngjajshme

Deputetja Xhevahire Izmaku kandidate e NISMA-s për kryetare të Vushtrrisë

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku, ka bërë të ditur...

Rashford zyrtarizohet te Barcelona

Marcus Rashford edhe zyrtarisht është lojtari më i ri...

Selmanaj: Nëse nuk i realizoj premtimet largohem nga politika

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj,...

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për spiunazh.

“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, Bedri Shabani, av. Besnik R. Berisha dhe Muharrem Qerimi, av.Betim Shala, ndërsa aktvendimi Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special,…, i datës 20.04.2025, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të cilin e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishin paraqitur avokatët Berisha dhe Shala, me propozim që Gjykata e Apelit të hudhë akuzën ndaj dy të akuzuarve.

Për këto ankesa, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të njëjtat të refuzohen, kurse vendimi i Themelores të vërtetohet.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Në vendimin e shkallës së dytë, thuhet se nuk ka argumente bindëse dhe nuk përmbajnë asnjë argument bazë ligjore, që të hudhet akuza ashtu siç kërkon Kodi i Procedurës Penale.

Sipas Apelit, shkalla e parë drejt ka vendosur kur ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural që të vazhdohet me gjykim ndaj Shabanit dhe Qerimit.

Apeli ka theksuar se bazuar në shkresat e lëndës, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale për të cilat ngarkohen Shabani dhe Qerimi dhe se të gjitha provat janë marrë në mënyrë të ligjshme.

Kjo Gjykatë ka sqaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor provat e siguruara do të administrohen dhe për të njëjtat do t’iu jepet mundësi avokatëve dhe të akuzuarve që t’i kundërshtojnë, duke paraqitur argumentet e tyre. Aty thuhet se gjykata bazuar në zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor, do të nxjerrë vendim meritor lidhur me këtë rast.

Pas këtij vendimi, pritet që Themelorja të caktojë seancat gjyqësore ndaj Shabanit dhe Qerimit.

Seanca e 5 marsit 2025 ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit Shabani për afat shtesë për lexim dhe analizim të aktakuzës në mënyrë që më pas të deklarohet lidhur me fajësinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, në pikën e parë Bedri Shabani akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së në fshatin Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.

Aktakuza thotë se Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç, përgjegjës për Regjionin e Pançevës, si dhe kolonel Bogoljub Janiçeviç, ish-komandant i Policisë së Serbisë për Regjionin e Ferizajt, gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e Reçakut përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.

Andaj, thuhet se me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së të Mollopolcit të Shtimes me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut, duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviç që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës.

Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Kurse, në pikën e dytë të aktakuzës, Muharrem Qerimi akuzohet se nga viti 2012 e në vazhdimësi deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjestarët e UÇK-së, emrat dhe eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve tashmë të njohur të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionin, e të cilat informacione ia ka transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, Sërgjan Rosiç përgjegjës për Regjionin e Pançevës përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike që ka zhvilluar në territorin e Republikës së Serbisë.

Me këto veprime, i akuzuari Qerimi thuhet se ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Prandaj për këto veprime, Qerimi ngarkohet me veprën penale “Spiunazh” nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 5 qershor 2024 të pandehurit Qerimi gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për urdhër kontroll, i është gjetur në posedim pa autorizim një revole e tipit “Ekol Tuna”, një karikator, gjashtë fishekë, njëzet fishekë të tjerë me mbishkrimin 11/53, si dhe katër karikator të tjerë me shenjën e gjysmëhënës dhe një rrumbullak të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, Qerimi ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorzuar të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

- Advertisement -

Të Fundit