Tinguj që vijnë nga thellësitë e shekujve. Këngë trimërie që kanë shoqëruar malësorët në çdo stinë të historisë. Studiuesit thonë se lahuta, në shtëpitë e maleve, ka qëndruar gjithmonë krah pushkës. Ajo ka qenë lapsi dhe fletorja me të cilat malësorët kanë shkruar, kënduar, trashëguar dhe frymëzuar një botë të tërë.
Kjo është Lumturije Nonaj. E veshur me xhubletën e Malësisë së Madhe, me lahutën në dorë e me mijëra vite histori mbi supe, shkruan abcnews.
Me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije Nonaj njihet jo vetëm si e vetmja lahutare në Shqipëri, por edhe si një person që ka kontribuar prej dekadash në ruajtjen e traditave dhe vlerave kombëtare.
Lahuta, kjo vegël emblemë e kulturës shqiptare, është tashmë zyrtarisht pjesë e trashëgimisë botërore.
Për të, pranimi i Lahutës në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s është një ngjarje e jashtëzakonshme e një vlerësim që I prek shpirtin.
Lahutistja e vetme grua në të gjithë Shqipërinë thotë se lahuta është amaneti i familjes, i trashëguar brez pas brezi. Lumturija tregon se interesi i vajzave për të mësuar lahutën është i munguar. Ajo fton të gjitha vajzat që ta afrojnë veten me këtë instrument, për të mos u humbur kjo traditë aq e rrallë.
Ajo shpjegon edhe se si akordohet lahuta, çfarë e bën tingullin e saj të veçantë dhe pse kërkon një dorë që ta kuptojë.
Zakonisht, lahuta ka qenë vegla që e kanë mbajtur burrat. Por Lumturija theu tabutë dhe sot është e pagëzuar me emrin “Zana e Maleve”.
Me lahutë nuk këndohet vetëm për trima e kreshnikë. Këndohet edhe për dashurinë, për mallin, për dhimbjen e gëzimin. Edhe vetë Lumturia i këndon të gjithave.