E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Pejë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila e quajti Ramush Haradinajn si “gjeneral të vetëshpallur”.
Në një deklaratë të publikuar, OVL-UÇK thekson se kjo deklaratë është një “gënjeshtër e madhe” dhe një “përdhosje e sakrificës së mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së”.
OVL-UÇK e Pejës vuri në dukje kontributin e Haradinajt dhe të gjithë luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Dukagjinit, duke përmendur se mbi 920 luftëtarë ranë dëshmorë në përballje me forcat serbe.
“Ata nuk luftuan për tituj, por për lirinë e Kosovës, për lirinë që sot e përfaqëson padenjësisht vetë ministrja Gërvalla-Schwarz, e cila, në vend që ta nderojë këtë sakrificë, zgjedh ta përçmojë,” thuhet më tej.

Lexo edheArrestohet një 52 vjeçar në Veri, Policia tregon se çka iu gjet në veturë
Deklarata përmban edhe kritika të ashpra ndaj ministres, duke e akuzuar se nuk po e nderon trashëgiminë e babait të saj, Jusuf Gërvalla, por përkundrazi, po e përdor pozitën për të përçmuar luftën çlirimtare.
“Ministrja Gërvalla-Schwarz është personi i parë në politikën e pasluftës që e përdor sakrificën e dëshmorëve për t’i sulmuar ata dhe për të njollosur luftën e shenjtë për liri. Kjo nuk sjell bashkim, por ndarje. Nuk forcon shtetin, por e përçan popullin. Nuk e nderon të kaluarën, por e shkel me përbuzje,” përfundon reagimi./Telegrafi/














