Avokati Tomë Gashi ka komentuar aktgjykimin ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gashi në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka thënë se ky vendim i kushtëzuar ndaj deputetëve nuk pengon që asnjëri nga deputetët të merret me punën e tij dhe po ashtu nuk kanë kurrfarë efekti as te kandidimi i Albin Kurtit për të parin e VV-së.
Tutje ai e ka quajtur vendimin ndaj deputetëve të VV-së kryekëput politik.
“Vendimet e kushtëzuara të cilat janë bërë me qëllime politike nuk e pengojnë asnjërin nga deputetët që të merret me punën e tij si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe po ashtu nuk kanë kurrfarë efekti në kandidimin e Albin Kurtit si kryetar i ardhshëm i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Gashi, raporton Gazeta Blic.
Avokati Gashi ka dhënë kritika të ashpra ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra dhe njëherit i ka cilësuar si vendim politik dënimin e kushtëzuar ndaj Kurtit, Kadaj-Bujupit, Haxhiut e Topallit.
“Edhe pse këto dënime të kushtëzuar janë kryekëput politike për shkak se aktiviteti i Albin Kurtit dhe të tjerëve në Lëvizjen Vetëvendosje në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës ka qenë akt kritik dhe është bërë për ta ruajtur territorin e Kosovës për të mos lejuar formimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sepse nëse këto të dyja do të lejoheshin Kosova do të humbte mbi 8 mijë e 500 hektarë tokë dhe nëse Zajendica do të lejohej faktikisht Kosova do të mbulohej me një farë lloji merimange ku do të ishte krejtësisht një shtet jo-funksional”, ka thënë ai.
Ndryshe, deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli janë shpallur fajtorë lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Albin Kurti u dënua me një vjet burg , Albulena Haxhiu me 1 vjet e 3 muaj, Donika Kadaj me 1 vjet e 6 muaj dhe Faton Topalli me një vjet e 2 muaj.
Të gjitha këto dënime janë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.
Aktgjykimi për deputetët e Vetëvendosjes u shpall në Gjykatën Themelore në Prishtinë pa prezencën e të akuzuarve, pasi ata ashtu si kishte paralajmëruar deputetja Albulena Haxhiu nuk do të shkonin në seancë për ta dëgjuar këtë vendim.
/GazetaBlic


