Qeveria e Kosovës ende nuk po beson që Lista Serbe e ka përnjëmend rikthimin në institucione. Ata po i frikohen largimit të radhës që mund ta bëjë kjo listë nga institucionet e Republikës së Kosovës. E pikërisht largimi i mundshëm i kësaj Liste mund ta shtyj edhe më tepër ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.
“Lista Serbe vazhdojnë të jenë të pasigurt, pra nuk dihet ende vota e tyre, pra ende nuk ka datë të përcaktuar për Projektligjin e Demarkacionit”, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë për Indeksonline.
Në anën tjetër ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj gjatë ditës së sotme ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane ku ka thënë se demarkacioni vazhdon të jetë kushti kryesor apo i vetëm për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.
Demarkacioni vazhdon të jetë i kundërshtuar nga opozita teksa mos-dërgimi i tij në Kuvend ka bërë që dy partitë e koalicionit qeverisës të hedhin fajin tek njëra-tjetra.