BallinaE dhimbshme: Ish-ushtari britanik i UÇK-së, porosi opozitës: E gjithë bota po...

E dhimbshme: Ish-ushtari britanik i UÇK-së, porosi opozitës: E gjithë bota po qesh me ju

Ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrison, i cili ishte i angazhuar si pjesëtar i UÇK-së në Brigadën 138, ka një kërkesë për deputetët e opozitës.

Përmes një porosie dërguar në redaksinë e Koha.net, Harrison ka thënë se me veprimet që deputetët e opozitës janë duke i bërë, e tërë bota po qesh me Kosovën.

“Djem, përse po e bëni këtë? Ju jeni popull krenar, mos u rrihni brenda parlamentit tuaj. Po i bëni vendet tjera t’ju shohin e të qeshin me ju”, thuhet në hyrje të porosisë së Harrison.

“Ju jeni liderët e Kosovës, për të cilin kanë vdekur gra e fëmijë, gjaku i tyre rrjedh në venat e të gjithë juve. Nuk i nderoni ata përmes këtyre veprimeve mendjengushta”, shton ai më tej në letër, raporton Koha.net.

“Jam veteran krenar i UÇK-së. Kam trajnuar ushtarët tanë që të mbajnë kokën lartë si në betejë, ashtu edhe në jetë. Momentalisht ata po i mbajnë kokat e ulura të turpëruar”, thotë Harrison, duke shtuar: “Nëse nuk ju pëlqen një propozim, një mocion në ligjet tuaja, apo ndonjë çështje tjetër rreth asaj se si po drejtohet vendi juaj, atëherë diskutojeni atë në Parlament”.

“Ata që vdiqën për lirinë tuaj po lëkunden në varret e tyre dhe po ju shohin. Ju këtë po vazhdoni ta bëni në vendin tuaj, në Kosovë, ku të gjithë po shohin nga ju që t’i drejtoni drejt një të ardhmeje të ndritshme e të lirë. Momentalisht jeni bërë për t’u përqeshur nëpër kafene”, thotë i dëshpëruar Harrison.

Më tej, ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrison, lut të gjithë zonjat dhe zotërinjtë e Parlamentit të Republikës së Kosovës që t’i qëndrojnë prapa besimeve të tyre, por “me sjellje të të rriturve”.

“Spreji e gazi lotsjellës po iu bën të dukeni budallenj”, potencon Harrison.

“Mos lejoni që gjaku i atyre që i kemi humbur në betejën tonë të humb kuptimin. Ecni me krenari sepse jeni të zgjedhurit, burra e gra, të vendit tuaj. Veproni si të tillë, çojeni Kosovën drejt një të ardhmeje të re, ndaloni me veprimet mendjengushta e të marra. Kosova është e ardhmja juaj dhe ju jeni e ardhmja e Kosovës”, ka përfunduar veterani Jon Harrison nga Brigada 138.

Kujtojmë se ish- pjesëtari i Forcave Mbretërore Britanike (RAF), Jon Harrison, braktisi gjithçka që kishte në atdheun e tij, për t’u dalë në krah ushtarëve që po luftonin për lirinë e atdheut të tyre, Kosovës.

Në vitin 1999, Jon Harrison la shtëpinë e tij dhe erdhi për të luftuar në Kosovë. Ai, para pak muajsh, tregoi se në trupin e tij tashmë ka një imazh të përjetshëm, pasi kishte bërë tatuazh shqiponjën. /koha.net/