Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm ka njoftuar se lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehsorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehsorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”,thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik./Lajmi.net/