Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për prerje të paligjshme të pyjeve në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri”, në vendin e quajtur “Llageri”, në territorin e komunës së Kaçanikut.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 08:10, gjatë zbatimit të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2025”, kur njësitet policore të stacionit në Kaçanik kanë vërejtur një automjet të tipit Nissan, të modifikuar dhe pa targa, i cili drejtohej nga një person i dyshuar – F.V., 31 vjeç. Pak më vonë, në vendngjarje ka arritur edhe i dyshuari tjetër, K.V., 34 vjeç, me një motoçikletë 4×4, transmeton lajmi.net.
Të dy personat, të pajisur me dy motor-sharra, kishin filluar të prenin dru brenda zonës së mbrojtur. Me të parë njësitet policore, të dy të dyshuarit janë larguar nga vendngjarja në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar prova materiale, përfshirë:
-
një automjet Nissan të ngarkuar me dru,
-
një motor-sharrë dhe
-
një telefon celular.
Veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa pas disa orësh kërkimi, rreth orës 15:00, të dy të dyshuarit janë arrestuar.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit, të dy janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore./lajmi.net/