back to top
Thursday, August 21, 2025
BallinaLajmeDy rrugët për konstituimin e Kuvendit, sipas Shalës

Dy rrugët për konstituimin e Kuvendit, sipas Shalës

Të ngjajshme

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se seanca e djeshme konstituive e Kuvendit ka treguar se po vazhdon “skenari” bllokues për të mos lejuar funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka dhënë dy rrugë që çojnë në zhbllokim. Sipas Shalës, bllokimi i konstituimit të Kuvendit është i qëllimshëm.

“Nëse i shohim deklarimet e liderëve të partive tregojnë se janë mbi 30 deputetë të VV-së që e kanë shumicën në Kuvend. PDK ka thënë se do të votojë secilin kandidat që nuk ka qenë në Qeveri. Janë vetëm dy rrugë që të konstituohet Kuvendi, ose me vendosë ndonjërin prej kandidatëve që nuk ka qenë në Qeveri, ose të bëhet një marrëveshje politike”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Shala ka theksuar se LVV-ja paraqet mosinteresim për konstituim me insistimin për kandidimin për kryeparlamentar të emrave që kanë qenë në Qeveri, derisa partitë e tjera hapur janë shprehur kundër atyre emrave.

“Sot e kemi shumë të qartë që brenda Kuvendit janë me emra e mbiemra që e kanë shumicën për tu zgjedhur kryetar. Çfarë mungon në rastin konkret është propozimi i LVV-së për ata kandidatë që i kanë votat për t’u zgjedhur”, ka thënë ai.

Edhe përkundër dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë tutje Shala, po vazhdon “kreativiteti për shpikjen e skenarëve të ndryshëm bllokues në dëm të qytetarëve”.

“Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, domosdoshmërisht do ta kemi nevojën edhe për një aktgjykim tjetër të Gjykatës Kushtetuese për të treguar çfarë ndodh nëse nuk e propozon, nëse vazhdon me propozime të tilla, nëse i përsëritë propozimet, etj”.

Shala ka theksuar se duhet të ketë përgjegjësi politike nga akterët që deri tash e kanë bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka asnjë kushtetutë në botë që rregullon në detaje secilin skenar që një partie i bie në mend se si ta bllokojë funksionimin e institucioneve. Kjo është mungesë e kulturës kushtetuese dhe në fund për gjithë këtë sjellje duhet të ketë përgjegjësi politike të këtyre akterëve që shfaqen kaq kreativë për krijimin e këtyre skenarëve bllokues dhe që bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, ka potencuar Shala.

Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla kanë dështuar të zgjidhen kryeparlamentare në seancën e parë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në të dy votimet, kandidatet morën nga 57 vota pro, 56 kundër e nga tri abstenime. Pas dështimit të tyre, seanca është shtyrë për 22 gusht.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz