Një rast tragjik ka ndodhur sot në Gjakovë, ku dy punëtorë kanë humbur jetën pasi që kanë rënë nga lartësia e një objekti ku po punonin.
Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka thënë për lajmi.net se në vendngjarje kanë dal Kryeprokurori, Prokurori Kujdestar dhe të gjitha njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës si dhe Inspektori i Punës.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për lajmi.net.
Në lidhje me rastin, detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Sheremet Elezaj ka thënë se rasti ka ndodhur në një punishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë.
“Sot rreth orës 08:15, jemi njoftuar se dy persona (meshkuj të moshës madhore) janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dyshohet si pasojë e lëndimeve të pësuar në vendin e punës, në rrugën “Bardhyl Qaushi ” në Gjakovë. Më pas është konfirmuar edhe vdekja e tyre. Njësitë relevante të Policisë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarr veprime hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, tha Elezaj