Dwayne Johnson hap një kapitull të ri në muzikë, kënga e parë ua kushtohet vajzave të tij

Dwayne Johnson po mendon ta bëjë muzikën një pjesë më të rëndësishme të karrierës së tij, ndërsa zhanri country duket se është drejtimi që aktori dhe ish-ylli i WWE dëshiron ta eksplorojë më seriozisht.
Ylli i Hollivudit ka publikuar së fundmi këngën “Your Dad”, të cilën e ka shkruar së bashku me ish-fituesin e “American Idol”, Iam Tongi.
Në një intervistë për “Rolling Stone”, Johnson tregoi se muzika ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe se tani po mendon ta zhvillojë më tej këtë pasion.
“Po e eksploroj këtë mundësi. Muzika ka qenë gjithmonë një mbështetje për mua, veçanërisht zhanret që dua, si muzika tradicionale country”, tha ai.
Një këngë personale për vajzat e tij
Johnson theksoi se projekti i fundit muzikor ka një domethënie krejtësisht personale, pasi kënga u është dedikuar vajzave të tij.
Sipas tij, muzika i jep një ndjesi lirie që nuk e përjeton gjithmonë në projektet e mëdha filmike.
“Kjo këngë për mua është thjesht diçka që ua kam kushtuar vajzave të mia. Nuk ka presion për të menduar për shitjet, fitimet apo numrin e dëgjimeve. Është thjesht diçka nga unë për to”, u shpreh Johnson.

Lexo edheDrilon Rama publikon foto nga deti, vëmendjen e merr fiziku i tij
Ëndrra për muzikën country nisi që në adoleshencë
Aktori ka zbuluar se dëshira për t’u marrë me muzikë nuk është diçka e re.
Që në adoleshencë, ai kishte ëndërruar të bëhej këngëtar i muzikës country, ndërsa ndër vite ka eksperimentuar disa herë me muzikën.
Johnson ka bashkëpunuar më parë me Wyclef Jean, ndërsa një prej interpretimeve të tij më të njohura mbetet kënga “You’re Welcome” nga filmi i animuar “Moana”.
Nëse vendos ta zhvillojë më seriozisht këtë kapitull të ri, ai thotë se do të dëshironte të ndërthurte elemente të muzikës soul dhe country, duke marrë frymëzim nga artistët që ka dëgjuar gjatë rritjes.
“Dua të shkruaj, të këndoj dhe të eksploroj atë që dua”, tha Johnson.
Për momentin, aktori nuk ka konfirmuar nëse po përgatit një album të plotë, por deklaratat e tij tregojnë se muzika mund të bëhet një pjesë shumë më e rëndësishme e karrierës së tij në të ardhmen. /GazetaExpress/














