Dumfries: Po jetoj ëndrrën time te Real Madridi, jam gati për sfidën

Real Madridi ka prezantuar zyrtarisht përforcimin e ri, Denzel Dumfries, 47 ditë pasi klubi kishte konfirmuar transferimin e tij.
Mbrojtësi holandez, 30 vjeç, mori pjesë në ceremoninë institucionale përkrah presidentit Florentino Pérez, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij me klubin madrilen.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, Dumfries ishte i shoqëruar në prezantim nga presidenti i nderit i klubit, Emilio Butragueño, si dhe nga anëtarët e familjes së tij. Gjatë ceremonisë ai ndoqi një video me momentet më të mira të karrierës, mori dhurata nga presidenti Pérez dhe nënshkroi kontratën.
Marrëveshja e lidh holandezin me Real Madridin deri në vitin 2030.
“Për këdo, të luash për Real Madridin është një ëndërr. Të jem këtu është një përgjegjësi e madhe, sepse kemi objektiva shumë të rëndësishme. Jam jashtëzakonisht krenar dhe shumë i lumtur. Jam gati të filloj”, deklaroi Dumfries për mediat e klubit.
Konkurrencë e fortë me Alexander-Arnold
Dumfries iu bashkua stërvitjeve të Real Madridit më 28 korrik dhe bëri paraqitjen e parë në miqësoren hapëse të fazës përgatitore ndaj Fiorentinës, e cila përfundoi 2-2.
Largimi i Dani Carvajal kishte lënë një boshllëk të rëndësishëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Real Madridi ka zgjedhur ta plotësojë atë me një futbollist me eksperiencë të madhe ndërkombëtare.
Megjithatë, Dumfries do të ketë konkurrencë të fortë nga Trent Alexander-Arnold.
Real Madridi tashmë ka dy alternativa të nivelit të lartë për pozicionin e mbrojtësit të djathtë, ndërsa José Mourinho madje i ka provuar Dumfries dhe Alexander-Arnold së bashku në fushë në dy raste.
Shifra mbresëlënëse me Interin

Lexo edheArsenal nis mbrojtjen e titullit ndaj Coventryt të drejtuar nga Lampard, publikohen formacionet zyrtare
Gjatë periudhës së tij te Interi, Dumfries zhvilloi 207 ndeshje, duke realizuar 27 gola dhe duke dhënë 28 asistime.
Një nga paraqitjet më të mira të tij erdhi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve të sezonit 2024/25 kundër Barcelonës, ku ai shënoi dy gola dhe kontribuoi me tri asistime.
Në pesë sezone me fanellën zikaltër, holandezi u afirmua si një nga futbollistët më të mirë në botë në pozicionin e tij.
Tani, Dumfries mbërrin në “Santiago Bernabéu” me detyrën e vështirë për të ndihmuar në mbushjen e boshllëkut të lënë nga një figurë e rëndësishme si Dani Carvajal.
Stili i tij energjik, fuqia fizike dhe aftësia për të mbështetur sulmin pritet të përshtaten mirë me kërkesat e Mourinhos.
Debutimi zyrtar mund të vijë ndaj Espanyolit
Pas prezantimit zyrtar, Dumfries tashmë po përgatitet për debutimin e tij të parë në një ndeshje konkurruese me fanellën e Real Madridit.
Holandezi mund të marrë minuta të shtunën, kur madrilenët udhëtojnë për t’u përballur me Espanyolin në stadiumin “RCDE”.
Për Dumfries nis kështu një kapitull i ri në karrierë, këtë herë në një nga klubet më të mëdha të futbollit botëror. /GazetaExpress/














