BallinaOpinioneDuam qeveri të votuar, jo të imponuar!

Duam qeveri të votuar, jo të imponuar!

Nga Luljeta Aliu

Siç janë rrethanat politike për momentin, në zgjedhjet e ardhshme LVV do të prijë larg me më shumë përqindje. Shtrohet pyetja, çfarë qeverie do të kemi? Prapë një qeveri LVV-LDK, apo LVV-PDK? I njejti avaz si këto vitet e fundit? Një skenar tmerrues, i cili do të ketë si pasojë eksodusin e njerëzve më të nevojshëm të vendit, të profesionistëve dhe rinisë.

Në bazë të kontakteve dhe bisedave që kam me këto dy grupe, këta nuk janë më të gatshëm që të humbasin perspektivën e tyre. E kanë rrezikuar perspektivën, mirëqenien dhe prosperitetin e tyre ka tash rreth 20 vite. Shumë nga ta, këmbënguljen dhe durimin e kanë ndjerë si sakrificë dhe obligim moral ndaj jetës së dëshmorëve të flijuar për këtë vend dhe betejës të brezave paraprakë për liri, pavarësi dhe një të ardhme të ndritur për Kosovën. Por edhe sakrifica nuk ka kuptim kur merr trajtën e vetëvrasjes kolektive. E pikërisht vetëvrasje do të ishte vazhdimi i një skene politike fragjile, vazhdimi i koalicioneve partiake, nga të cilat partia e dytë ka mundësi kurdoqoftë ta shantazhojë partnerin qeverisës me votë mosbesimi. Një situatë e tillë nuk është më e tolerueshme nga qytetarët. Askush nuk dëshiron të arratiset nga mëmëdheu në kohë paqeje. Mirëpo kur paqja nga armiku i jashtëm shndërrohet në luftë të brendshme politike, ku viktima janë qytetarët, atëherë kush është fajtori që qytetarët e braktisin vendin?

Askush nuk mund t’i quajë fajtorë apo të dobët qytetarët e lodhur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme me politikën kosovare, familjet e dëshpëruara nga varfëria kosovare, të rinjtë e demoralizuar nga ngulfatja e përditshme e shpresës së tyre. E gjithë ky demoralizim dhe dekurajim kolektiv do të duhej të bie si përgjegjësi mbi kokat e njerëzve që e kanë marrë timonin e udhëheqjes së shtetit. Këta, në vend se ta kapitalizojnë persekutimin e Kosovës për të marrë mbështetje maksimale nga faktori ndërkombëtar, me paaftësinë dhe grykësinë e paskaj për pasurim personal, e shohin Kosovën dhe qytetarët e saj si një klient të tyre të pafuqishëm, e këta sillen si avokatët e vendit, por janë avokatë pa diplomë, avokatë të korruptuar dhe që klientin e tyre, pra Kosovën e shohin si një palë që është totalisht e painformuar për të drejtat e veta dhe e dorëzuar komplet në dorë të tyre. Kosova dhe ne po dëmtohemi të gjithë.

Po përflitet se janë duke u zhvilluar bisedime rreth përfshirjes së mundshme të PDK-së në qeveri. Nëse ndodhë kjo, atëherë kjo qeveri do të na “nderojë” edhe 3-4 vjet, deri në zgjedhjet e ardhshme.

E çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme? Çka pas formimit të një qeverie, ku pjesë janë mu këta. Çka me Kosovën? Me ne? Asgjë e re nën diell. Dhe kështu do të vazhdonte tragjikomedia kosovare si një shfaqje groteske para botës. POR. POR. POR. KA EDHE NGA ATA QË NUK DORËZOHEN DERI NË FRYMËN E FUNDIT. KA EDHE NGA ATA QË REVOLTOHEN. KA NGA ATA QË NGRITEN. QË RREZIKOJNË GJITHÇKA. QË E KAPIN EDHE FIJEN E FUNDIT TË SHPRESËS. QË E KTHEJNË KURSIN DHE NDRYSHOJNË HISTORINË. Të tillë njerëz i kanë ndryshuar rrjedhat e ngjarjeve përgjatë historisë së njerëzimit. Janë mu këta që e bëjnë botën të sillet. Dhe që çdoherë kur dikush tenton t’i mposhtë, ngriten edhe më të fortë. Populli kosovar është një nga ta. Ju jeni një nga ta. Ti je një nga ta. Veç duhet ta kujtosh dhe të refuzosh ta pranosh realitetin që serviret nga të tjerët dhe ta kapësh në duart tua fatin tënd. Ne mundemi. Po, kemi mundësi ta ndryshojmë këtë situatë, nëse duam. Por duhet revoltë. Ne qytetarët e kemi pushtetin e vërtetë në dorë. Veç duhet ta përdorim. Të kemi guxim të protestojmë, të kemi guxim të kërkojmë përgjegjësi, të kërkojmë dorëheqje. Të kërkojmë ZGJEDHJE. Këta që e kanë kapur këtë vend, nuk e lëshojnë vullnetarisht. Ne duhet t’i detyrojmë ta bëjnë. Nuk duhet dorëzuar pak para cakut! Hajde, dheznu pak.