Drita do të synojë të shndrisë në Rumani sonte në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Skuadra gjilanase i dha fund eksperiencës në Ligën e Kampionëve, ku shkoi deri në rrethin e dytë kualifikues, ndërsa tash do ta sprovojë veten në garën e dytë më prestigjioze të futbollit evropian.
Kampionia e Kosovës do ta vizitojë ekipin FCSB sonte në Bukuresht, në ndeshjen që do të nisë prej orës 20:30, shkruan “Gazeta Express”.
Bardhekaltrit do të mundohen ta ndjekin rrugën e Shkëndijës së Tetovës, e cila e eliminoi ekipin rumun nga Liga e Kampionëve, për ta nxjerrë jashtë edhe nga Liga e Evropës.
Ndonëse vendësit për një nuancë të vogël shihen si favoritë, ekipi i Zekirija Ramadanit e ka marrë rrugën drejt Rumanisë për të nxjerrë rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit, të cilën do ta luajë pas një jave në Prishtinë.
Të dyja ekipet kanë mungesa, por që kjo s’do t’i pengojë që ta tregojnë lojën e tyre.
Drita ishte eliminuar nga Championsi prej ekipit Copenhagen. /Gazeta Express