Drita e nis sezonin me spektakël, tetë gola në fitoren ndaj Llapit

Kampionia në fuqi, Drita, e ka nisur me fitore sezonin e ri në Albi Superligën e Kosovës, duke mposhtur Llapin me rezultat 5-3 në një ndeshje spektakolare të xhiros së parë.
Takimi prodhoi plot tetë gola, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
Drita e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 28-të përmes Besnik Krasniqit. Vetëm katër minuta më vonë, Igball Jashari realizoi për 2-0, duke krijuar përshtypjen se kampionët po merrnin kontrollin e plotë të takimit.
Megjithatë, Llapi reagoi shpejt.
Në minutën e 35-të, Ademi ngushtoi rezultatin në 2-1, ndërsa në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë Gashjani realizoi golin e barazimit, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 2-2.
Drita shpërthen në pjesën e dytë
Kampionët reaguan fuqishëm menjëherë pas rikthimit në fushë.

Lexo edheKampioni e nis frikshëm, e deklason Llapin europian
Vetëm në minutën e 48-të, Besnik Krasniqi shënoi golin e tij të dytë personal dhe e riktheu Dritën në epërsi.
Në minutën e 59-të ishte radha e Raddy Ovouka për të realizuar golin e katërt, ndërsa Hajdin Salihu e çoi rezultatin në 5-2, duke e afruar skuadrën gjilanase shumë pranë fitores.
Llapi nuk u dorëzua dhe tentoi të përsëriste rikthimin e pjesës së parë. Në minutën e 84-të, Gentrit Jaha shënoi për 5-3, por këtë herë skuadra nga Podujeva nuk arriti ta rihapte plotësisht ndeshjen.
Drita e menaxhoi epërsinë deri në fund dhe siguroi tri pikët e para të sezonit.
Pas përfundimit të katër prej pesë ndeshjeve të xhiros së parë, Malisheva kryeson renditjen falë golaverazhit më të mirë, ndërsa Drita pozicionohet në vendin e dytë pas fitores bindëse ndaj Llapit. /GazetaExpress/














