Drenas,Përurohet objekti i rinovuar i shkollës “Xheladin Gashi- Plaku” në Komoran (Foto)
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagchilar, ka përuruar objektin e rinovuar të ShFMU “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran, ku edhe vizituan ambientet mësimore të kësaj shkolle.
Me këtë rast, ministri Bajrami theksoi rëndësinë e ndërtimit dhe renovimit të shkollave, si parakusht për krijimin e mundësive për arsim cilësor.
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të ndërtojë shkolla të reja, si dhe të krijojë ambiente moderne mësimore për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore. Ministria e Arsimit ka për synim rritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim, andaj kjo shkollë me këto ambiente të bukura mundëson një gjë të tillë”, thekoi Bajrami.

Lexo edheDrenas, dënohen me burg zyrtarët komunalë për shpërdorim të detyrës
Ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, do të vazhdojë me ndihmën e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës shkollore në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit tanë, të jenë plotësishtë të motivuar për arritjen e rezultateve cilësore.
ShFMU “Xheladin Gashi- Plaku” numëron rreth 650 nxënës, për edukimin dhe arsimimin e të cilëve përkujdesen 42 mësimdhënës, në mesin e të cilëve edhe pedagogu i shkollës. Objekti shkollor sipas menaxhmentit të shkollës ka 12 dhoma mësimi, si dhe laboratorë të informatikës dhe të kimisë.














