Komuna e Drenasit ka kërkuar që 62 deri në 84 hektarë të tjerë të tokës përballë Parkut të Biznesit në Korroticë të Epërme të përfshihen në elaboratin e shpronësimit për t’u dhënë mundësi të vendosjes edhe të bizneseve të tjera krahas 31 bizneseve, të cilat aktualisht janë funksionale në Parkun Biznesit. Bizneset paguajnë qira 0.15 euro për një metër katror, 70 për qind të të cilave i mbesin Komunës së Drenasit, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Parkut të Biznesit në Drenas, në të cilën aktualisht janë funksionale 31 biznese nga 35 sa janë gjithsej, mund t’i shtohen edhe 84 hektarë të tokës.
Bordi Mbikëqyrës për Menaxhimin e Parkut të Biznesit në Drenas, pas inkorporimit të kryetarit të ri të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur një mbledhje, në të cilën është diskutuar raporti i gjendjes së bizneseve në Parkun Industrial të Drenasit.
Bordi Mbikëqyrës ka vendosur që t’i shkëpusë kontratat me të gjitha bizneset të cilat nuk janë aktive, si dhe ka vendosur që të shpallë konkurs për kompanitë që janë të interesuara të vendosen në Parkun e Biznesit në Drenas, në katër parcela, një që nuk ishte dhënë në shfrytëzim dhe tri parcela, në të cilat kompanitë që kanë lidhur kontratat nuk kanë qenë aktive, respektivisht nuk kanë filluar fare të punojnë, shkruan “Zëri”.
Bordi Mbikëqyrës ka konstatuar se me tri bizneset, të cilat nuk kanë qenë aktive apo të cilat nuk kanë filluar fare të punojnë, të shkëputen kontratat ndërsa ka vendosur që t’u dërgohen vërejtje atyre bizneseve të cilat nuk kanë paguar qiranë mujore për vitin 2016 deri më 31 mars të këtij viti, që këtë ta bëjnë menjëherë, në të kundërtën, siç ka vendosur Bordi, lëndët do të dërgohen në procedurë përmbarimi.
“Bordi Mbikëqyrës për Menaxhimin e Parkut të Biznesit ka diskutuar edhe për 3 parcelat, në të cilat bizneset nuk kanë filluar punimet dhe është marrë vendimi me to të shkëputen kontratat dhe që për ato tri parcela të shpallet konkurs për vendosjen e bizneseve të reja. Në kuadër të kësaj, respektivisht në këtë konkurs do të shpallet e lirë edhe një parcelë në Parkun e Biznesit, e cila nuk ishte dhënë në shfrytëzim që do të jepen katër parcela”, ka precizuar Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit.