Buxheti Komunal për vitin 2017 nuk arriti të miratohet as pas 5 orë debat.
Mbledhja e stërzgjatur e Kuvendit Komunal, rreth pesë orë, shpesh me tensione dhe debat të ashpër rreth buxhetit komunal nuk dha rezultatet e veta. Buxheti komunal për vitin 2017 nuk u aprovua për shkak të lëshimit të sallës në mënyrë demonstrative të disa Anëtarëve të Kuvendit Komunal.
Mbledhja e radhës u caktua për të martën e ardhme.
Nuk e di, a është kjo shënjë e avancimit në “pjekjën” e demokracisë në Komunën e Drenasit apo thjeshtë një betejë ndërmjet grupacionesh që megjithatë debatin e zhvilluan për interesa të ngushta (duke insistuar që sa më shumë buxhet të ndajnë për lokacionin e tyre).
Buxheti i përpiluar kishte mangësi dhe defekte të mëdha. Tek lista për investimet kapitale nuk ishin përfshirë të gjitha fshatrat, dhe nuk kishte informata se cilat projekte kapitale janë më prioritet për banorët e fshatrave. Përveç kësaj, buxheti nuk ishte ndarë sipas nevojave në sektorë të ndryshëm, duke e lënë Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale me një buxhet që nuk i përmirëson shërbimet mjekësore e as nuk garanton ndihmë ndaj shtresave të rrezikuara në Komunën tonë. Për më tepër, në këtë buxhet ishte paraparë që të blihet një veturë për Drejtorinë e Financave. Më gjithë këto të meta, këshilltarët e partisë në pushtete (PDK) filluan që të bëjnë pazare në mes vete, duke e ndryshuar listën e investimeve kapitale në dëm të fshatrave që nuk janë të përfaqësuar me këshilltarë në Kuvendin Komunal.