Drejtori sportiv i Istras shihet në “Fadil Vokrri” bashkë me Eros Grezdën – çfarë po përgatitet?

Sasa Bjelanovic, drejtori sportiv i klubit kroat Istra, është parë sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë gjatë duelit Kosovë U21 – Qipro U21. Prania e tij nuk ka kaluar pa u vënë re, veçanërisht pasi ai është shfaqur në shoqërinë e menaxherit të njohur kosovar Eros Grezda.
Takimi mes dy figurave të futbollit ka nxitur menjëherë spekulimet për një lëvizje të mundshme në merkato, ndërsa mbetet për t’u parë nëse vizita e Bjelanovicit në Prishtinë lidhet me ndonjë futbollist kosovar apo me ndonjë bashkëpunim të ri.
Bjelanovic nuk është një emër i panjohur në futbollin europian. Para se të kalonte në rolin drejtues, ai ka pasur karrierë si futbollist, duke luajtur ndër të tjera për skuadra të njohura italiane si Torino dhe Atalanta.

Pas karrierës në fushën e blertë, ai iu përkushtua punës menaxheriale dhe skautimit. Bjelanovic ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te Hajduk Spliti, ndërsa ka punuar edhe si skaut te Atalanta.

Lexo edheSupergol, Kosova kalon në epërsi ndaj Qipros
Në anën tjetër, Eros Grezda është i përfshirë në ndërmjetësimin e transferimeve dhe ka realizuar marrëveshje me futbollistë në kampionatin kroat.
Tani, prania e Bjelanovicit në “Fadil Vokrri”, pikërisht në shoqërinë e Grezdës, ka hapur një pikëpyetje të madhe: a po përgatitet një tjetër transferim nga Kosova drejt Kroacisë?
Për momentin nuk ka konfirmim zyrtar për ndonjë marrëveshje konkrete, por vizita e një drejtori sportiv me përvojë ndërkombëtare në Prishtinë, në shoqërinë e një menaxheri që ka lidhje të forta me tregun kroat, padyshim se do të jetë një nga lëvizjet që pritet të ndiqet me interes në ditët në vijim./Indeksonline/














