Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është deklaruar se së fundi janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore të Kosovës, e të cilat dyshohet se vijnë nga Serbia.
Hoxha deklaroi se Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in deh po kryen monitorime të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”,tha Hoxha.
Kreu i Policisë së Kosovës gjithashtu bëri të ditur se institucionet ndërkombëtare janë njoftuar për këtë situatë dhe se përgjegjësia i takon KFOR-it.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, tha Hoxha./Lajmi.net/