Sfidë e veçantë mbetet çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Shumë raste të dhunës seksuale, të kryera nga forcat serbe, ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar, duke lënë plagë të thella në shoqërinë kosovare.
Edhe pas 27 vitesh, shumë raste të dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe kanë mbetur të pandëshkuara, duke lënë gjurmë të thella e afatgjata.
Ndaj, sot u prezantuan tri dokumente strategjike që synojnë t’i mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që kërkojnë drejtësi.
“Mungesa e llogaridhënies penale thellon stigmën, duke e bërë edhe më të vështirë procesin e shërimit për të mbijetuarit. Sot jemi këtu për të folur për drejtësi, për ta kërkuar atë dhe për ta bërë më të arritshme. Po prezantojmë tri dokumente strategjike që synojnë të rrisin ndjeshmërinë, besimin dhe trajtimin dinjitoz, duke i vendosur të mbijetuarit në qendër”, theksoi Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT-së, raporton RTK.
“Përmes politikave të ndryshme është ndikuar në rritjen e nivelit të transparencës dhe në përmirësimin e qasjes së palëve në drejtësi. Gjithashtu, përmes mekanizmave mbrojtës, siç është dhoma e mbrojtur në gjykatë, u mundësohet palëve që të kërkojnë drejtësi pa frikë dhe të japin dëshmi në mënyrë të sigurt”, tha Arjeta Sadiku, U.D. kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Kur një person përjeton dhunë ekstreme, truri nuk regjistron kujtesa, por mbijetesë. Derisa dhuna nuk e flet gjuhën e drejtësisë, atëherë drejtësia duhet ta mësojë gjuhën e traumës…”, thaksoi Selvi Izeti Çarkaxhiu, psikologe klinike në QKRMT
Manuali për qasje të sigurt dhe të ndjeshme në drejtësi synon parandalimin e ritraumatizimit, duke forcuar cilësinë e ndjekjes penale. Udhëzuesi praktik për përdorimin e dhomës së sigurt në gjykata adreson pasojat e thella psikologjike, stigmatizimin shoqëror dhe frikën nga përballja me të pandehurin.
Ndërkaq, udhëzuesi praktik “Qasja e ndjeshme ndaj traumës në sistemin e drejtësisë në rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë” ka për qëllim promovimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar në drejtësi.