BallinaLajmeLajmet e Fundit“Do t’i drejtohem sërish Kushtetueses” – Osmani nga SHBA me paralajmërim për...

“Do t’i drejtohem sërish Kushtetueses” – Osmani nga SHBA me paralajmërim për partitë, para tentimit të 46-të për konstituimin e Kuvendit

Kosova po vazhdon të mbetet në ngërç institucional, me mungesë të përparimit në formimin e Kuvendit të ri edhe pas 45 tentimeve.

Nesër pritet të mbahet përpjekja e 46-të për konstituim, por sërish pa sinjale për ndonjë zgjidhje. Lëvizja Vetëvendosje insiston në formimin e një komisioni për votim të fshehtë dhe më pas nominimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Ndërkaq, partitë tjera, që më parë ishin në opozitë, e kundërshtojnë këtë qasje dhe kërkojnë një proces transparent dhe konsensual, transmeton lajmi.net.

Për shkak të kësaj situate, Bashkimi Evropian ka ndalur disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes për Kosovën, duke pritur konstituimin e institucioneve të reja.

Në një deklaratë të bërë nga Washingtoni, Presidentja Vjosa Osmani tha se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka lënë pa sqaruar pasojat nëse afati kushtetues prej 30 ditësh nuk respektohet. Ky afat përfundon më 26 korrik.

Presidentja paralajmëroi se do t’i drejtohet sërish Kushtetueses për interpretim shtesë.

“Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, nëse mund ta quaj kështu, Parlamenti nuk është konstituuar. Por patëm një rast të ri në gjykatën Kushtetuese dhe gjykata ka sqaruar se ekziston ky afat i rreptë 30-ditor, i cili do të skadojë më 26 korrik, për Kushtetutën e Parlamentit. Por nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues. Pra, duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’u bëj atyre atë pyetje të veçantë, dhe shpresoj se ata do të përgjigjen”.

Deklarata u dha gjatë një diskutimi në Hudson Institute në SHBA, ku Osmani foli për sfidat politike në Kosovë dhe mungesën e qartësisë ligjore në situata të tilla./lajmi.net/

- Advertisement -