Në seancën e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokati mbrojtës i Kadri Veseli, Ben Dixon, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka ofruar asnjë kundërpërgjigje substanciale ndaj pretendimeve të mbrojtjes lidhur me klientin e tij.
Dixon tha se të hënën, gjatë kundërpërgjigjes së ZPS-së, emri i Veselit u përmend shumë pak, ndërsa vetëm në fund, prokurori iu rikthye – sipas tij – “trillimeve” dhe një përpjekjeje të fundit për ta përfshirë atë në akuzë.
“Sipas nesh, deri në ato momente nuk u tha asgjë konkrete. Edhe ajo që u tha, ishin fjalë boshe. Nuk pati asnjë përgjigje reale për akuzat që ngritëm ne lidhur me pretendimet e tyre për Veselin”, deklaroi ai.
Avokati theksoi se mbrojtja ka trajtuar një për një çdo pretendim të Prokurorisë, duke i cilësuar si të pabaza. Ai shtoi se kishte edhe “500 diapozitivë të tjerë” që mund t’i paraqiste, duke kundërshtuar pretendimin e ZPS-së se mbrojtja nuk ka trajtuar themelin e çështjes.
“Kjo nuk është mbrojtje teknike. Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore të një gjykimi penal – testimin e provave, kundërpyetjen e dëshmitarëve dhe vlerën provuese të tyre”, tha Dixon.
Sipas tij, Gjykata nuk mund të shpallë fajësi – qoftë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, plan të përbashkët penal apo përgjegjësi epror – nëse vendimi mbështetet vetëm mbi prova të patestuara apo thashetheme.
Për të ilustruar argumentin, ai dha një shembull hipotetik, duke theksuar se askush nuk mund të dënohet mbi bazën e një pretendimi që nuk testohet në gjykatë përmes dëshmisë së drejtpërdrejtë dhe kundërpyetjes.
Dixon kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, Prokuroria ka tentuar të anashkalojë “parimin e artë” të së drejtës penale, duke iu referuar edhe diskutimeve mbi Rregullën 140(4)(a) dhe praktikën e përmendur nga paneli i Apelit në rastin Pjetër Shala, përfshirë jurisprudencën e Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me dëshmitë e patestuara.
“Mund të jetë e vështirë për dikë të harrojë zakonet e vjetra”, tha ai, duke shtuar se parimet themelore të drejtësisë penale janë të padiskutueshme dhe duhet të respektohen në çdo rrethanë. /Lajmi.net/