Shkruan: Kurt Gostentschnigg
Ky punim[1] përpiqet t‘i japë një përgjigje pyetjes nëse trajtimi i çështjes së etnogjenezës shqiptare nga ana e albanologjisë austro-hungareze ka pasur një dimension politik apo jo, dhe nëse po, në çfarë ka qëndruar ai. Në fillim ne do të përshkruajmë shkurt zhvillimin e përgjithshëm të albanologjisë austro-hungareze në kontekstin e interesave politikë, ekonomikë, kulturorë dhe ushtarakë të Monarkisë së Dyfishtë. Pastaj do të paraqesim tipat e kërkuesve dhe çështjet më të rëndësishme të kërkimit si dhe do të hedhim një vështrim mbi trajtimin e çështjes së etnogjenezës shqiptare në kohën e Monarkisë Dualiste, para se të diskutojmë përfundimisht dimensionin politik të këtij trajtimi për shqiptarët dhe Austro-Hungarinë.
Për t’iu përgjigjur çështjes së përmendur kërkimore, nëse albanologët austro-hungarezë kanë lejuar të instrumentalizohen nga udhëheqja politike dhe ushtarake e Monarkisë Dualiste, unë kam zgjedhur një kombinim të teorisë së imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut[2] me teorinë e fushës të Pierre Bourdieu-s[3]. Ndërsa konceptet e Galtung-ut “dhuna kulturore”, “dhuna strukturore” dhe “kryeurë” (gjerm. “Brückenkopf”, angl. “bridgehead”) përbëjnë instrumente të përshtatshme për analizën e marrëdhënieve josimetrike midis Austro-Hungarisë dhe elitës shqiptare në periudhën e vonshme osmane dhe në Shqipëri (1913-1918), konceptet e Bourdieu-s “fushë”, “habitus”, “kapitale”, “illusio” dhe “doxa” ofrojnë veglat e duhura për analizen e lidhjes midis fushës akademike ose shkencore ose albanologjike nga njëra anë si dhe fushës politike dhe fushës ushtarake nga ana tjetër.
Kontributi i shkencës austro-hungareze për hulumtimin e Shqipërisë është thelbësor. Pjesa më e madhe e punës kërkimore është kryer në fushat e gjuhësisë, historisë, etnografisë, gjeografisë, gjeologjisë dhe arkeologjisë. Akademia e Shkencave në Vjenë me komisionet e saja për Ballkanin dhe Shqipërinë dhe Akademia e Shkencave në Budapest me komisionet e saja për Ballkanin dhe Orientin kanë qenë forcat shtytëse lidhur me ekspeditat kërkimore në Ballkan para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Institucionet udhëqesëse kërkimore për hulumtimin gjuhësor, historik, etnografik dhe arkeologjik të Europës Juglindore kanë qenë institutet përkatëse të universiteteve austro-hungareze, veçanërisht në Vjenë, Pragë, Budapest dhe Grac. Instituti i Ballkanit, i krijuar nga Carl Patsch më 1908 në Sarajevë pa lidhje me ndonjë universitet, është bërë qendra e studimeve ballkanike nga ana e Austro-Hungarisë dhe ka pasur një status të privilegjuar.[4]
Meritat e shumta të albanologjisë austro-hungareze në studimin e trojeve shqiptare dhe të popullit shqiptar ngre pyetjen, nëse ka pasur vetëm interesa shkencorë apo edhe interesa shtetërorë. Koha nga Kongresi i Berlinit deri në Luftërat Ballkanike karakterizohet nga humbja e vazhdueshme e ndikimit austro-hungarez mbi shtetet sllave në Ballkan. Në vitin 1913, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, ka mbetur vetëm Shqipëria, i saponjohur ndërkombëtarisht si vend i pavarur, si aleate kundër pansllavizmit nga njëra anë dhe imperializmit italian nga ana tjetër. Kjo ka qenë arsyeja kryesore, pse diplomacia vjeneze, së bashku me atë italiane, ka mbështetur fuqimisht interesat shqiptarë lidhur me çështjet parimore të statusit ndërkombëtar, të përcaktimit të kufijve dhe të organizimit të shtetit të ri në Konferencën e Londrës.[5]
Për shkak të prapambetjes së saj relative ekonomike në krahasim me vendet perëndimore industriale dhe të krizave të saja të brendshme ekonomike, Austro-Hungaria përqendroi politikën e saj tregtare dhe komunikative në drejtim të Europës Juglindore. Pas Kongresit të Berlinit, Monarkia e Dyfishtë konkurroi me Italinë për arritjen e kontrollit mbi rrugët detare dhe tokësore drejt Selanikut për të siguruar hegjemoninë komerciale dhe strategjike në Ballkanin Perëndimor. Lidhur me këtë, trojet shqiptare kishin një rëndesi vendimtare.[6]
Nga luftrat fitimtare të habsburgëve kundër osmanëve rezultoi i ashtuquajturi “Protektorat i Kultit” i Austrisë, d.m.th. e drejta e mbrojtjes së të gjithë të krishterëve të Perandorisë Osmane. Detyrat zyrtare të Protektoratit të Kultit ishin ngritja dhe mirëmbajtja e kishave, arsimimi i klerit dhe mbrojtja e kongregacioneve në Shqipëri. Në këtë kuadër Austria filloi të hapte konsullata dhe zëvendëskonsullata në Shqipëri, detyrat jozyrtare të të cilave ishin veprimtaria humaniste, përmirësimi i nivelit të arsimit, përkrahja e zhvillimit kombëtar dhe shpërndarja e parave në eliten shqiptare.[7]
Historiografia shqiptare në kohën komuniste flet për një imperializëm austro-hungarez në kurriz të lëvizjes kombëtare shqiptare. Historiografia perëndimore e asaj kohe anon nga lavdërimi i rolit të Austro-Hungarisë si ndihmëse për zhvillim. Sot për shkak të fakteve të disponueshme historike duhet të pranojmë se Austro-Hungaria vërtet ka luajtur një rol të rëndësishëm për procesin drejt pavarësisë së Shqipërisë, por gjithmonë duke synuar njëkohësisht zgjerimin e influencës së saj mbi vendin e vogël në periferinë e saj jugore nëpërmjet një imperializmi joformal në bazë të një dhune strukturore dhe kulturore.[8]
Gjithashtu eksplorimi shkencor i territoreve shqiptare dhe i popullsisë së tyre ka qenë me rëndësi të madhe në kuadër të marrëdhënieve reciproke. Kjo vërtetohet nga burimet historike dhe nga pohimet e historiografisë. Rezultatet shkencore të punës së Institutit të Ballkanit në Sarajevë dhe të ekspeditave të Akademive të Shkencave janë shfrytëzuar për qëllime politike, komerciale dhe ushtarake. Nuk bëhej fjalë për ndonjë program konkret politik për instrumentalizimin e shkencës, por të paktën për një mbështetje zemërgjerë të albanologjisë nga ana e institucioneve shtetërore. Të dy vitet e administrimit ushtarak të pjesës më të madhe të Shqipërisë nga trupat austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore mund të konsiderohen si kalimi nga imperializmi joformal në atë formal në bazë të bashkëpunimit midis politikës, ushtrisë dhe shkencës.[9]
Fusha e albanologjisë austro-hungareze ka pasur tre tipa të ndryshëm të aktorëve individualë: 1.) tipin e pastër shkencor, të përfaqësuar nga Josef Konstantin Jireček, Milan von Šufflay, Carl Patsch, Gustav Meyer, Arnold Schober, Franz von Miklosich, Hugo Schuchardt, Wilhelm Meyer–Lübke, Norbert Jokl dhe Maximilian Lambertz; 2.) tipin e përzier politiko–shkencor me afërsi me ose me përfshirje në fushën politike, të përfaqësuar nga Johann Georg von Hahn, Ludwig von Thallóczy, Theodor Anton Ippen dhe Franz Baron Nopcsa; 3.) tipin e përzier ushtarako–shkencor me afërsi me ose me përfshirje në fushën ushtarake, të përfaqësuar nga Georg Veith, Camillo Praschniker, Franz Seiner, Arthur Haberlandt, Nopcsa, Jokl dhe Lambertz. Përmendja e dyfishtë e Nopcsa–s, Jokl–it dhe Lambertz–it ka të bëjë me faktin se në periudha të caktuara ata kanë qenë afër fushës politike dhe/ose fushës ushtarake. Këta aktorë konkurronin me njëri-tjetrin me anë të kapitalit ekonomik (pasuri financiare dhe posedime materiale), kapitalit kulturor (arsimim dhe pozitë profesionale), kapitalit social (lidhje dhe rrjete) dhe kapitalit simbolik (prestigj dhe reputacion) të tyre për ruajtjen ose ndryshimin e marrëdhënieve të pushtetit brendapërbrenda fushës së albanologjisë austro-hungareze.[10]
Illusio-ja specifike e fushës së përgjithshme albanologjike, d.m.th. interesat dhe doktrinat e përbashkëta të albanologëve, qëndronte në hedhjen e dritës mbi aspektet e panjohura të historisë, kulturës dhe gjuhës së shqiptarëve. Doxa-ja specifike e fushës së albanologjisë austro-hungareze, e paracaktuar nga fusha politike në Austri dhe Hungari, qëndronte në besimin e përbashkët të albanologëve austro-hungarezë që Monarkia Dualiste duhej të ishte pioniere në këtë lëmë. Ky besim i përbashkët i fushës politike dhe i fushës shkencore ndikonte në përzgjedhjen e çështjeve kërkimore. Ashtu si Protektorati i Kultit shtrihej në qarqet katolike në Veri dhe formimi i kombit shqiptar kërkonte legjitimimin e tij në periudhën e lavdishme të Skënderbeut, historianët austro-hungarezë përqendroheshin gjeografikisht në Shqipërinë e Veriut dhe periodikisht në historinë e mesjetës së vonshme të popullit shqiptar. Si shembuj po jepen këtu vetëm përcaktimi gjeografik dhe etnik i Shqipërisë mesjetare nga ana e Šufflay-it, përmbledhja e burimeve lidhur me historinë shqiptare „Acta et diplomata res Albanicae mediae aetatis illustrantia“ dhe vepra kolektive „Illyrisch–albanische Forschungen“. Gjithashtu etnografia përqendrohej gati ekskluzivisht në Shqipërinë e Veriut. Arkeologjia lidhur me Shqipërinë, e nisur shumë vonë, i kushtohej në radhë të parë kulturës antike dhe linte shumë pas dore periudhën parailirike, ilirike dhe të mesjetës së hershme. Për këtë mund të ketë pasur dy arsye: nga njëra anë interesi i përgjithshëm i arkeologjisë së atëhershme i drejtohej kohës së grekëve dhe romakëve të vjetër, dhe nga ana tjetër albanologët austro-hungarezë, dashamirë ndaj shqiptarëve, kishin shpresën se vazhdimësia iliro-shqiptare mund të vërtetohej vetëm me argumente gjuhësore.[11]
Çështja e etnogjenezës shqiptare që nënkupton në të vërtetë historinë e ngulimeve të shqiptarëve dhe lidhet ngushtë me çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, ka zgjuar ndër të tjera interesin e shkencës për popullin shqiptar dhe është ende sot ose më mirë përsëri, krahas çështjeve të historisë moderne të shqiptarëve dhe të reformave të gjuhës shqipe, çështja më e diskutuar dhe më e diskutueshme e albanologjisë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Veç kësaj ajo ka pasur e vazhdon të ketë një rëndësi aktuale politike në polemikën shkencore midis shqiptarëve dhe serbëve mbi vendbanimet e trashëguara në Kosovë.[12]
Kjo çështje kërkimore rrotullohet rreth historisë së hershme shqiptare, duke u përpjekur të lokalizohen shqipfolësit në hapësirë dhe kohë. Diskutimi përqendrohet në epokën e sundimit romak deri në shfaqjen e shqiptarëve në burimet e shkruara të mesjetës së mesme. Për të balancuar mungesën e dokumenteve dhe kronikave për këtë periudhë kohore, shkencat historike përdorin si plotësim rezultate gjuhësore dhe arkeologjike. Meqë mezi ka dëshmi të shkruara për gjuhët e vjetra ballkanike, gjuha shqipe vetë konsiderohet si një material burimor, duke hulumtuar fjalorin, toponimet dhe format gjuhësore në zhvillimin e tyre shekullor. Vlerësimi i njohurive të fituara nga këto burime ndryshon shumë, kështu që ne mund të flasim për tri pozicione parimore:
Së pari: prejardhja e shqipes nga ilirishtja, d.m.th. autoktonia e shqiptarëve si pasardhësit e ilirëve;
Së dyti: prejardhja e shqipes nga trakishtja, d.m.th. imigrimi i paraardhësve trakë;
Së treti: prejardhja e shqipes as nga ilirishtja as nga trakishtja, d.m.th. zhvillimi i shqipes nga një gjuhë tjeter e vjetër ballkanike ende e panjohur.
Pikëpamja mbizotëruese brenda albanologjisë, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, është ajo e autoktonisë, e emërtuar si “teza ilire”. Lidhur me çështjen e kufizimit të ngulimeve ilire në kohën romake, përfaqësuesit e tezës ilire lëkunden midis zonës së Matit, të cilën e ka përcaktuar teoria e Georg Stadtmüller-it, dhe – në kohën e sotme – Shqipërisë së Veriut, Kosovës dhe Maqedonisë. Ndërsa përfaqësuesit e tezës së imigrimit, e emërtuar si “teza trake”, përpiqen t’i japin një përgjigje pyetjes kur shqiptarët kanë imigruar në trojet e tyre të sotme. Mendimet ndryshojnë midis një imigrimi nga një distancë e largët (për shembull nga Kaukazi) dhe një imigrimi nga një distancë e afërt (për shembull nga zonat malore në lindje) në bregdetin e sotëm shqiptar. Pamundësia e rikonstruksionit të ilirishtes[13] – prandaj ka vërtet tregues, por nuk ka prova për vazhdimësinë iliro-shqipe –, nxjerrat spekulative nga trakishtja[14], për të cilën ekzistojnë vetëm pak dokumente, dhe dokumentimi i vonë me shkrim i shqipes e vështirësojnë në një mënyrë të ndjeshme punën ambicioze të të dyja kampeve.
Le të flasim më hollësisht për punët e gjuhëtarëve vjenezë Joachim Matzinger[15] dhe Stefan Schumacher[16], të cilët përfaqësojnë pozicionin e ri të tretë. Matzinger tërheq vëmendjen për faktin se toponimet dhe hidronimet e Shqipërisë përdoren edhe nga përfaqësuesit e tezës së autoktonisë edhe nga kritikuesit e tyre për verifikimin ose falsifikimin e vazhdimësisë iliro-shqiptare.[17] Pas analizës shembullore gjuhësore të tri emërtimeve të zgjedhura Shkodër, Durrës dhe Shkumbin,[18] ai numëron argumentet kundër tezës së autoktonisë: së pari, emrat antikë nuk pajtohen me ligjet më të vjetra fonetike të shqipes, d.m.th. me ligjet e fjalëve të trashëguara; së dyti, fjalët e huazuara nga greqishtja e vjetër janë shumë të pakta dhe janë lekseme, të cilat kufizohen në kategori të caktuara; së treti, simbioza shumë e ngushtë brendaballkanike e protoshqiptarëve dhe protorumunëve në kuadrin e jetesës së përbashkët si çobanë shtegtarë ka çuar në përputhje leksikore dhe strukturore me rumanishten e mëvonshme.[19] Konkluzioni i nxjerrë nga Matzinger: për shkak të këtyre njohurive të gjuhësisë historike, shqiptarët nuk mund të jenë autoktonë, por më tepër imigrantë nga zonat brendaballkanike.
Matzinger merret më hollësisht me çështjen e lokalizimit të territoreve të prejardhjes.[20] Sipas tij, dy rrethana vështirësojnë kërkimin e zonës së origjinës: së pari, jetesa e popullimeve të vjetra ballkanike si çobanë shtegtarë ka qenë e lidhur me një mobilitet të lartë, prandaj transhumanca mezi pajtohet me një zonë qendrore të origjinës; së dyti, nuk është e sigurt nëse analiza e dëshmive gjuhësore mund të ndriçojë errësinë e parahistorisë pa shkrim. Sipas Matzinger-it, etnogjeneza e shqiptarëve, d.m.th. lindja e një ndërgjegjeje etnike për shkak të bashkësisë nëpërmjet tipareve sociale, kulturore, fetare dhe ekonomike, ka ndodhur me gjasë në shekullin e pestë ose gjashtë pavarur nga gjuha në Shqipërinë e Veriut si reagim ndaj zaptimit sllav. Zona e Matit dhe malësia e Shqipërisë së Veriut mund të konsiderohen si habitati më i vjetër shqiptar ose si zona e tërheqjes me mundësi kontakti me rrafshet, dhe pikërisht për arsyet si vijojnë: toponimi Mat mund të shpjegohet pa problem si “mal, malësi” nga shqipja; zona e Matit ka vetëm pak toponime sllave, por rrethohet nga shumë emra sllavë të vendit. Vetëm nën kushte të tilla ka qenë e mundur njëkohësisht të ruhej gjuha e trashëguar si dhe të merrej, me anë të kontaktit me sllavët, një numër i madh i huazimeve sllave pa iu nënshtruar një sllavizimi të plotë gjuhësor. Nga një zonë e tillë tërheqjeje, siç mendon Matzinger, këta grupe shqipfolëse mund të shtriheshin më vonë në rrafshet e sllavizuara dhe të nguleshin përgjithmonë atje.
Për sa i përket çështjes së gjuhës shqipe, Matzinger dyshon që shqipja të duhet të identifikohet patjetër me një nga të dyja gjuhët e dokumentuara të etnive të vjetra ballkanike si të ilirëve ose trakëve.[21] Mund të përfytyrohet që shqipja të jetë vazhdimësia e njërës nga idiomat e patrashëguara ballkanindoeuropiane. Gjithnjë sipas Matzinger-it, kërkimet e gjuhësisë historike kanë treguar se shqipja, bashkë me greqishten, frigishten dhe armenishten, i përket ballkanindoeuropianishtes, një nëngrupi indoeuropian. Kjo bashkësi parahistorike komunikimi në një areal ballkanik konvergjence, së cilës i kanë përkitur edhe idiomat e njohura të vjetra ballkanike si ilirishtja, dakishtja dhe trakishtja, është emërtuar kështu, sepse shumica e këtyre gjuhëve ishte dëshmuar në kohën historike në Ballkan ose në fqinjësinë e tij gjeografik. Prandaj çështja e prejardhjes së shqipes zhvendoset në një periudhë kohore shumë më të hershme.
Në fund Matzinger i përmbledh edhe një herë argumentet, pse nuk mund të vërtetohen autoktonia dhe prejardhja e treguar nëpërmjet kësaj e shqiptarëve nga ilirët antikë:
së pari, materiali gjuhësor i ilirishtes, i trashëguar nga antikiteti, nuk mjafton për të mundësuar pohime përfundimtare;
së dyti, toponomastika e Shqipërisë e hedh poshtë vazhdimësinë lineare iliro-shqiptare; emrat e vendeve dhe lumenjve të Shqipërisë nuk tregojnë një fonetikë të vazhdueshme me fjalë të trashëguara, por një zhvillim fonetik, i cili i përket një shkalle më të vonshme kohore në historinë e gjuhës shqipe, siç dëshmohet nga evidenca e fjalëve të huazuara latine;
së treti, midis shqipes dhe rumanishtes ka përputhje leksikore dhe strukturore, të cilat flasin për kontakte të ngushta të folësve përkatësë në parahistorinë e tyre;
së katërti, etnogjeneza shqiptare ka ndodhur vetëm në shekullin e pestë deri në shekullin e gjashtë pas Krishtit;
së pesti, ka tregues gjuhësorë që një parashkallë e hershme e shqipes ka qenë në kontakt të ngushtë me disa gjuhë të tjera indoeuropiane në kuadrin e një areali parahistorik konvergjence, i cili me gjasë mund të lokalizohet në Ballkan dhe në të cilin me gjasë mund të lokalizohen gjithashtu idiomat antike ballkanike; prandaj përputhje të mundshme gjuhësore midis këtyre gjuhëve indigjene (si ilirishtja, trakishtja dhe dakishtja e dëshmuar) dhe shqipes nuk mund të shpjegohen vetëm e vetëm në kuadrin e një modeli prejardhjeje.[22]
Përfundimi i Matzinger-it: gjuhësia historike jep një përgjigje të besueshme për çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të origjinës së shqipes; sipas dëshmisë së toponimisë shqiparët në vendbanimet e tyre historikisht të dokumentuara janë imigrantë nga Ballkani i brendshëm.[23]
Le të kthehemi në kohën e Monarkisë Austro-Hungareze. Për shumicën e shkencëtarëve të shekullit të 19-të autoktonia e shqiptarëve ishte një gjë e vetëkuptueshme. Përkundrazi për disa historianë e për shumë gjuhëtarë në gjysmën e parë të shekullit të 20-të shqiptarët janë imigrantë në trojet e tyre të sotme. Në konkluzionet e tyre kanë ndikuar sidomos dy rrethana: marrëdhëniet shqiptaro-rumune dhe toponomastika e Shqipërisë. Lidhjet e shqipes me rumanishten disa gjuhëtarë i kanë lokalizuar në një zonë qendrore ose lindore të Gadishullit të Ballkanit, mjaft larg nga vendbanimet e sotme të shqiptarëve.[24] E përsa i përket toponomastikës, shumë ekspertë mendojnë që emrat e sotëm të vendeve në Shqipëri, në krahasim me format përkatëse të antikitetit, tregojnë se zhvillimi fonetik, të cilin e kanë bërë gjatë kohëve, nuk ka kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e shqiptarëve, gjë që lë të arrihet në përfundimin se mungon një vazhdimësi e elementit shqiptar në këto territore.[25]
Për të mbështetur këtë tezë të pavazhdimësisë, përfaqësuesit e tyre sjellin tri argumente historike: së pari, ndërprerjen e plotë të trashëgimit, të shkaktuar nga ndryshimet e mëdha politike, shoqërore dhe kulturore prej shekullit të 5-të deri në shekullin e 10-të; së dyti, romanizimin pak a shumë të plotë të ilirëve; së treti, sllavizimin po aq të plotë të ilirëve të romanizuar. Praninë e shqiptarëve në trojet e tyre mesjetare e të sotme ata e shpjegojnë me anë të imigracioneve më të vona nga trojet trake në Ballkanin Lindor ose më tej, përtej Danubit, si dhe nga trojet e dikurshme ilire në Ballkanin Qendror e Perëndimor në jug të Danubit. Kjo tezë e pavazhdimësisë çoi në dy supozime pasuese: nga njëra anë, shqiptarizimi më i vonë dhe me dhunë i trojeve të gjetura nga ardhësit shqiptarë; nga ana tjetër, shkalla shumë e ulët e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të shqiptarëve mesjetarë. Sipas mbështetësve të kësaj teze, bëhej fjalë për çobanë shtegtarë që vinin nga zonat më të mbyllura e më të prapambetura, ku këto grupime të vogla të një popullsie të lashtë gjysmë të asimiluar kishin qenë në gjendje t’i rezistonin romanizimit të plotë.
Deri para pak vitesh kanë qëndruar vetëm këto dy kampe përballë njëri-tjetrit: nga njëra anë përfaqësuesit e “tezës ilire” ose përkrahësit e tezës së autoktonisë, nga ana tjetër përfaqësuesit e “tezës trako-dake” ose “tezës dako-myze”, të njohur si përkrahësit e tezës së imigrimit të shqiptarëve. Të parët pretendojnë një banim të përhershëm të shqiptarëve në trojet e tyre aktuale, kurse të dytët ardhjen e tyre nga Lindja për në vendbanimet e tyre të sotme, duke mos qenë të një mendjeje për zonën e shpërnguljes. Teza e origjinës ilire mbështetet jo vetëm në dëshmi gjuhësore, por edhe në argumente të forta historike. Prandaj ajo u zhvillua së pari nga historianët dhe pastaj u pranua edhe nga gjuhëtarët. Kurse teza e prejardhjes trake bazohet më shumë në kritere gjuhësore sesa historike, gjë që shpjegohet nga fakti se trakët kanë banuar kryesisht në territoret e Rumanisë dhe Bullgarisë së sotme, d.m.th. jashtë kufijve etnikë të shqiptarëve. Prandaj, sipas Eqrem Çabejit, tezës trake i mungon një fundament solid historik.[26]
Për origjinën ilire të shqiptarëve e të shqipes janë shprehur ndër të tjerë albanologët vijues: Gottfried Wilhelm Leibniz, Johann Erich Thunman, Josef Ritter von Xylander, Johann Georg von Hahn, Bartholomäus Kopitar, Theodor Benfey, Franz Miklosich, Lorenz Diefenbach, Jakob Philipp Fallmerayer, Martin Leake, Gustav Meyer, Paul Kretschmer, Holger Pedersen, Albert Thumb, Mateo Bartoli, Wilhelm Meyer-Lübke, Sextil Puscariu, Josef Konstantin Jireček, Milan von Šufflay dhe – me modifikime – Carl Patsch dhe Franz Nopcsa.
Thunman, duke marrë shkas prej Ptolemäus-it, i cili kishte përmendur në shekullin e dytë pas Krishtit qytetin Albanopolis, të hamendësuar midis lumenjve Drin dhe Shkumbin, ka pohuar se atdheu i parë i shqiptarëve kishte qenë në zonën malore midis Drinit dhe Shkumbinit. Ndër emrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor ai gjeti disa trakë, të cilët, sipas tij, dëshmojnë se trakët janë ngulur deri në brigjet e Adriatikut. Në bazë të këtyre argumenteve ai arriti në konkluzionin që Ilirët dhe Trakët kishin qenë vërtet dy popuj të ndryshëm, por fiset e tyre ishin përzier me njëri-tjetrin për shkak të afërsisë hapësinore. Shqiptarët e sotëm Thunman i konsideronte kryesisht si pasardhësit e ilirëve, duke shtuar se në formimin e tyre si etni kishte marrë pjesë edhe një element trak.[27] Me këtë ai u bë themeluesi i tezës ilire, e cila në fund të shekullit të 19-të hyri në diskursin e nacionalistëve shqiptarë dhe u ngrit në Shqipërinë komuniste në doktrinë historike.
Hahn ka qenë i pari që studioi një varg toponimesh të vjetra të trevave shqiptare e të zonave përreth dhe i krahasoi ato me apelativat e shqipes. Sipas tij, ka shumë tregues që epirotët dhe maqedonasit, të cilët ishin farefis me ilirët, përbënin thelbin e kompleksit tirreno-pellazg. Kështu del se ilirishtja është gjuhë pellazge në një kuptim më të gjerë dhe paraardhësit e shqiptarëve janë, krahas ilirëve, edhe epirotët dhe maqedonasit, dhe të gjithë këta popuj rrjedhin nga pellazgët[28]. Sipas Çabejit, lidhur më prejardhjen e shqiptarëve, kjo tezë pellazge nuk mund të qëndrojë në këtë kuptim të përgjithësuar, sepse pas gjithë gjasave ilirishtja dhe pellazgjishtja janë gjuhë të ndryshme. Për shkak të mungesës së dëshmive gjuhësore, për të cilat mund të thuhet me siguri se i përkasin asaj gjuhe, gjuhësia nuk fiton qartësi mbi karakterin gjuhësor të pellazgjishtes. Përveç kësaj, thekson Çabej, shkencëtarët nuk janë të një mendimi se cili popull dhe cila gjuhë duhet quajtur me emrin pellazg.[29]
Edhe Šufflay, Patsch dhe Nopcsa kanë mbrojtur tezën e autoktonisë së shqiptarëve të sotëm. Šufflay ishte i mendimit se, edhe sikur të mos kishte dëshmi historike – siç është ajo e Ptolemäus-it për fisin Albanoi –, vetë gjurmët e ndikimit gjuhësor të latinishtes mbi shqipen do të mjaftonin për të vendosur vendbanimet e shqiptarëve në bregun e Adriatikut. Sipas tij, analiza e simbiozës iliro-trake dhe shqiptaro-rumune hedh poshtë tezën trake. Lidhjet gjuhësore midis shqipes dhe rumanishtes nuk mund të shpjegohen me origjinën e tyre të përbashkët trake, por me simbiozën iliro-trake, me shtegtimin e rumunëve në Ballkan dhe me simbiozën shqiptaro-rumune në Shqipërinë e mesjetës. Prandaj Šufflay nxori përfundimin se shqiptarët janë ilirë me një shtresë trake.[30]
Në bazë të materialit historik dhe toponomastik, Patsch arriti në konkluzionin se në Ballkanin Perëndimor përpara ilirëve kishte pasur një popullsi trake. Kjo u mbulua më vonë nga një mbishtresë ilire, e cila e nënshtroi nënshtresën trake.[31]
Duke u nisur kryesisht nga etnografia, Nopcsa arriti në një përfundim të ngjashëm me këtë të Patsch-it. Ai ishte i mendimit se shqiptarët i përkasin edhe rrethit kulturor trak, edhe rrethit alpino-boshnjak të burimit ilir. Sipas tij, në territoret e Shqipërisë së sotme u shkri një nënshtresë trake me një mbishtresë ilire. Kështu popullsia shqiptare në bregdetin lindor të Adriatikut është pasardhëse e kësaj përzierjeje trako-ilire që prej kohës romake, me një mbizotërim numerik të elementit trak dhe një mbizotërim social të elementit ilir. Me këtë mund të shpjegohet, gjithmonë sipas Nopcsa-s, edhe fqinjësia e toponimeve ilire dhe trake në këtë zonë.[32]
Jireček kufizoi ngulimet e shqiptarëve në kohën romake në zonën malore mes Dalmacisë dhe Danubit.[33] Ishte fjala për zonën malore boshnjake mes luginave të Vrbasit dhe Drinës, ku, sipas tij, nuk kishte asnjë mbishkrim latin dhe gjurmë romanizimi. Në periudhën e shpërnguljeve të popujve, ilirët gjysmë të romanizuar u shtynë në krahinat e Shqipërisë së sotme. Sipas Georg Stadtmüller-it, kjo teori nuk mund të qëndrojë, pasi, duke u nisur nga huazimet e vërtetuara greke në gjuhën shqipe, ngulimet e shqiptarëve në kohën romake duhet të kenë qenë në zonën e kufirit gjuhësor latino-grek.[34]
Një qëndrim ndërmjetësues në lidhje me çështjen e origjinës së shqipes dhe të autoktonisë së shqiptarëve mbante Norbert Jokl.[35] Nga kërkimet e tija ai nxori përfundimin se shumica e këtyre elementeve të pakta që dihen nga leksiku i ilirishtes dhe i trakishtes, mund të shpjegohet me shqipen e sotme. Këto lidhje afrie ai i gjeti edhe jashtë leksikut, pikërisht në sistemin gramatikor dhe në strukturën e përgjithshme të këtyre gjuhëve. Kështu Jokl theksoi se, lidhur me fonetikën dhe morfologjinë, disa tipare të ilirishtes dhe të trakishtes gjejnë analogjinë e tyre në dukuritë përkatëse të sistemit gjuhësor të shqipes: vokale, konsonante (sidomos guturale), grupe bashkëtingëlloresh, sufikse dhe prefikse. Sipas tij, dihet se përkimet në fushën fonetike dhe gramatikore janë një tregues më i saktë për caktimin e shkallës së afrisë gjuhësore sesa mund të jetë leksiku. Prandaj këto kanë një rëndësi të veçantë. Duke u nisur nga ky arsyetim, ai konkludoi se gjuha shqipe është shumë e afërme edhe me ilirishten edhe me trakishten, kështu që mund të flitet për shqipen si një gjuhë iliro-trake ose trako-ilire. Këtë teori e mbështetnin edhe Max Vasmer, Francesco Ribezzo dhe Carlo Tagliavini.[36] Jokl vërtet ishte i bindur parimisht për autoktoninë e shqiptarëve, por ai arriti në përfundimin se vendbanimet e hershme të shqiptarëve nuk përputhen me ato të sotme në veriperëndim në brigjet e Adriatikut, sepse terminologjia shqipe për peshkatarinë paraqet një përzierje të larmishme huazimesh dhe numri i huazimeve nga greqishtja e vjetër është i pakët.[37] Sipas tij, si djepi i popullit shqiptar mund të konsiderohet vetëm ndonjë krahinë e pjesës veriore të territoreve ilire në Ballkan, afërsisht në zonën e Dardanisë së vjetër, një vend që plotëson këto kushte: gjendet brenda romanizmit dhe jo krejt jashtë sferës së greqishtes si dhe afër djepit të rumanishtes ku piqeshin ilirishtja me trakishten. Forma e emrit të sotëm serb Niš për Naissus të vjetër, një nga qendrat e Dardanisë, tregon ndërmjetësinë gjuhësore të shqipes dhe është një nga dëshmitë gjuhësore për praninë e paraardhësve të shqiptarëve në këtë zonë përpara shfaqjes së sllavëve.[38] Përveç kësaj, karakteri ilir i kësaj zone rezulton nga formimet e emrave dhe as elementi trak nuk mungon në toponomastikë. Koha, në të cilën paraardhësit e shqiptarëve kanë ardhur në vendbanimet e tyre më të vjetra ballkanike, mund të caktohet relativisht mirë me mjete gjuhësore: kjo duhet të ketë qenë pas ndryshimit fonetik të elementeve indoeuropiane të gjuhës, sk- në h- para zanores së mbyllur. Prej Dardanisë, sipas Jokl-it, shqiptarët e hershëm u shpërngulën për në atdheun e tyre të sotëm përgjatë brigjeve lindore të Adriatikut në antikitetin e vonë, por ende para ardhjes së sllavëve në Shqipëri. Të këtij mendimi ishin edhe Petar Skok dhe Edith Durham.[39] Kundër tezës së Jokl-it është shprehur në veçanti Stadtmüller, me arsyetimin se Dardania, si një zonë e vërtetuar krejt e romanizuar në kohën romake e bizantine të hershme, nuk mund të merret parasysh si vendformimi i popullit shqiptar.[40]
Përmbledhtas ne mund të themi si vijon: pasi gjuhësia historike, në fushën e përgjithsme të albanologjisë, e sqaroi çështjen e pozitës së shqipes në rrethin e gjuhëve indoeuropiane, ajo iu drejtua çështjes tendosëse të karakterit ilir, trak ose iliro-trak të shqipes para transformimit të saj nëpërmjet ndikimit të latinishtes vulgare. Përveç kësaj, ajo mundohej të studionte lidhjen e shqipes me dalmatishten dhe rumanishten, thellësinë e ndikimit latin mbi parashqipen dhe ndarjen e leksikut të trashëguar nga fjalët e huazuara dhe të huaja. Forcimi shkencor i tezës ilire të autoktonisë do të thonte njëkohësisht në Ballkan forcimin politik të pozitës së shqiptarëve, të cilët ishin aleatët e Austro-Hungarisë, ndaj komshinjve të tyre sllavë, të cilët ishin kundër habsburgësve. Kështu kishte rëndësi politike, në qoftë se ndikimi i latinishtes mbi parashqipen dhe ndikimi i rumanishtes mbi shqipen nuk ishin të thella si dhe pjesa e fjalorit të trashëguar ndaj fjalëve të huazuara dhe të huaja ishte aq më e madhe. Prandaj mendoj se nuk ka qenë rastësi që albanologët austro-hungarezë si Hahn, Miklosich, Meyer, Meyer–Lübke, Jireček, Šufflay dhe – me modifikime – Patsch dhe Nopcsa përkrahnin pa përjashtim prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të shqipes. Vetëm Jokl, në çështjen e etnogjenezës së shqiptarëve, mbante një qëndrim ndërmjetësues, i cili, megjithatë, u botua vetëm pas fundit të Monarkisë Dualiste dhe i afrohet – të paktën për sa i përket lokalizimit të vendbanimeve më të hershme të shqiptarëve – më shumë tezës së sotme të Matzinger-it.
[1] Ky punim është një nga rezultatet e shumta të projektit “Albanologjia austro-hungareze 1867–1918 – një rast i imperializmit kulturor?”, kryer në vitet 2014–2017 në Institutin e Historisë, dega e Historisë dhe Antropologjisë së Europës Juglindore, të Universitetit të Gracit, Austrian Science Fund (FWF), project nr. P26437–G15. Si rezultat gjithpërfshirës lidhur me marrëdhëniet austro-hungareze-shqiptare në shkencë, politikë, ushtri, ekonomi dhe kulturë, shih monografinë e gjerë Gostentschnigg, Kurt (2017b): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS.
[2] Galtung, Johan (1969): Violence, Peace and Peace Research. Në: Journal of Peace Research 6, 3, f. 167–191; Galtung, Johan (1971): A Structural Theory of Imperialism. Në: Journal of Peace Research 8, 2, f. 81–117; Galtung, Johan (1990): Cultural Violence. Në: Journal of Peace Research 27, 3, f. 291–305.
[3] Bourdieu, Pierre (1975): The specificity of the scientific field and the social conditions of the progress of reason. Në: Social Science Information. 14, f. 19–47 ; Bourdieu, Pierre (1980): Questions de sociologie. Paris: Minuit; Bourdieu, Pierre (1984/1992): Homo academicus. Frankfurt/Main: Suhrkamp ; Bourdieu, Pierre (1992a): Les règles de l’art. Paris: Seuil; Bourdieu, Pierre (1992b): Die verborgenen Mechanismen der Macht. Hamburg: VSA.
[4] Gostentschnigg (2017b), kapitull 1. „Das Wissenschaftliche Feld“.
[5] Po aty, kapitull 2.3. „Die Schlüsselrolle Albaniens innerhalb des politischen Balkankonzepts Österreich–Ungarns“.
[6] Po aty, kapitull 2.4. „Die Handels– und Verkehrspolitik im Dienste der „pénétration pacifique“.
[7] Po aty, kapitull 2.5. „Das Kultusprotektorat als offizieller Rahmen der Einflussnahme im Eigeninteresse“.
[8] Po aty, kapitull 6. „Conclusio: Das Feld der Macht als Motor für Kulturimperialismus mittels struktureller und kultureller Gewalt“.
[9] Po aty, kapitull 6. „Conclusio: Das Feld der Macht als Motor für Kulturimperialismus mittels struktureller und kultureller Gewalt“.
[10] Gostentschnigg, Kurt (2017a): The different researcher types. Austro–Hungarian albanology between politics and military. Në: Ramadani, Fehari; Kosumi, Bajram (ed.): International scientific conference “Relations between Albanians and Austria–Hungary (Austria) by mid XIX. century to our days”. Skopje, Prishtina: Logos-A, f. 73–86; Gostentschnigg (2017b), kapitull 1.10. „Zusammenfassung und Analyse“.
[11] Gostentschnigg (2017b), kapitull 1.10. „Zusammenfassung und Analyse“.
[12] Një përmbledhje historike të diskutimit të çështjes së etnogjenezës jep Gostentschnigg, Kurt (2016): Die Diskussion der Frage der albanischen Ethnogenese. Ein historischer Abriss. Në: Pistrick, Eckehard (Hg.): Deutsch–Albanische Wissenschaftsbeziehungen hinter dem Eisernen Vorhang. Wiesbaden: Harrassowitz. (= Albanische Forschungen 39), f. 51–74 si dhe Gostentschnigg (2017b), kapitull 1.6. „Die Frage der albanischen Ethnogenese – ein historischer Abriss ihrer Diskussion“.
[13] Mbi ilirishten dhe ilirët shih Eichner, Heiner (2004): Illyrisch – Die unbekannte Sprache. Në: Museum für Urgeschichte Asparn an der Zaya (Hg.): Die Illyrer. Archäologische Funde des 1. vorchristlichen Jahrtausends aus Albanien. Haugsdorf, f. 92-117; Siewert, Peter (2004): Die Geschichte der Illyrer. Në: Museum für Urgeschichte Asparn an der Zaya (Hg.): Die Illyrer. Archäologische Funde des 1. vorchristlichen Jahrtausends aus Albanien. Haugsdorf, f. 79-91.
[14] Mbi trakishten dhe trakët shih Duridanov, Ivan (1985): Die Sprache der Thraker. Neuried: Hieronymus; Ament, Hermann u. a. (Hg.) (2003): Frühe Völker Europas. Thraker – Illyrer – Kelten – Germanen – Etrusker – Italiker – Griechen. Darmstadt: Wissenschaftliche Buchgesellschaft.
[15] Matzinger, Joachim (2009a): Die Albaner als Nachkommen der Illyrer aus der Sicht der historischen Sprachwissenschaft. Në: Frantz, Eva Anne; Schmitt, Oliver Jens (Hg.): Albanische Geschichte. Stand und Perspektiven der Forschung. München: Oldenbourg, f. 13-36; Matzinger, Joachim (2009b): Kritische Kurzbemerkungen zur nordalbanischen Toponomastik. Die Namen der urbanen Zentren im adriatischen Küstenbereich. Në: Genesin, Monica; Matzinger, Joachim (Hg.): Nordalbanien – L’Albania del Nord. Hamburg: Kovač, f. 87-98; Matzinger, Joachim (2010): Illyrisch und Albanisch – Erkenntnisse und Desiderata. Në: Nedoma, Robert; Stifter, David (Hg.): Festschrift für Heiner Eichner (= Die Sprache 48, 2009). Wiesbaden: Harrassowitz, f. 98-106.
[16] Schumacher, Stefan (2009): Lehnbeziehungen zwischen Protoalbanisch und balkanischem Latein bzw. Romanisch. Në: Frantz, Eva Anne; Schmitt, Oliver Jens (Hg.): Albanische Geschichte. Stand und Perspektiven der Forschung. München: Oldenbourg, f. 37–59.
[17] Matzinger (2009a), f. 21.
[18] Po aty, f. 22-27.
[19] Po aty, f. 27 v..
[20] Po aty, f. 29-33.
[21] Po aty, f. 33-36.
[22] Po aty, f. 35 v..
[23] Po aty, f. 36.
[24] Weigand, Gustav (1927): Sind die Albaner die Nachkommen der Illyrer oder der Thraker? Në: Balkan-Archiv 3, f. 227-251; Schramm, Gottfried (1994): Anfänge des albanischen Christentums. Die frühe Bekehrung der Bessen und ihre langen Folgen. 1. Aufl.. Freiburg i. Breisgau: Rombach.
[25] Schramm (1994), f. 22-29; Matzinger (2009a), f. 27 v..
[26] Çabej, Eqrem (1976): Studime gjuhësore III. Prishtina: Rilindja, f. 30 v..
[27] Po aty, f. 34 v..
[28] Mbi pellazgët shih më hollësisht Lochner von Hüttenbach, Fritz Freiherr (1960): Die Pelasger. Wien: Gerold.
[29] Çabej (1976), f. 43 v..
[30] Šufflay, Milan von (1916-1917): Biologie des albanesischen Volksstammes. Në: Ungarische Rundschau für historische und soziale Wissenschaften, f. 1-26.
[31] Çabej (1976), f. 35.
[32] Po aty, f. 35.
[33] Jireček, Josef Konstantin (1911): Geschichte der Serben. Bd. 1. Gotha: Perthes, f. 152.
[34] Stadtmüller, Georg (1966): Forschungen zur albanischen Frühgeschichte. 2. erweit. Aufl.. Wiesbaden: Harrassowitz, f. 43.
[35] Jokl, Norbert (1924): Albaner (Sprache). Në: Reallexikon der Vorgeschichte 1, f. 84-93.
[36] Çabej (1976), f. 35 v..
[37] Jokl, Norbert (1923): Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen. Leipzig, Berlin: De Gruyter, f. 161; Jokl (1924), f. 92.
[38] Jokl (1924), f. 91 v..
[39] Çabej (1976), f. 39.
[40] Po aty, f. 39.