Diddy përballet me një tjetër telash, avokatët thonë se nuk i ka paguar

Ekipi ligjor i Sean “Diddy” Combs i ka kërkuar gjykatës leje për të mos e përfaqësuar më reperin në një padi për shpifje me vlerë 100 milionë dollarë, të cilën ai e ka ngritur kundër disa personave dhe kompanisë pas kanalit NewsNation.
Si arsye, avokatët kanë përmendur faturat e papaguara, si dhe ndërprerjen e plotë të komunikimit dhe bashkëpunimit me klientin, raporton Page Six, transmeton Indeksonline.
Avokatët: Bashkëpunimi është bërë pothuajse i pamundur
Avokati Michael Tremonte nga firma Sher Tremonte ka deklaruar në dokumentet e dorëzuara në gjykatë se Combs “nuk ka paguar një pjesë të konsiderueshme të honorareve dhe shpenzimeve ligjore”.
Sipas dokumentit, muzikanti 56-vjeçar ka më shumë se gjashtë muaj që vonon pagesat.
“Zoti Combs nuk ka paguar asgjë për muaj të tërë për shpenzimet dhe honoraret e konsiderueshme të krijuara gjatë kohës që Sher Tremonte e ka përfaqësuar në këtë proces, ndonëse firma ka vazhduar të ofrojë shërbime ligjore gjatë gjithë kësaj kohe”, thuhet në dokument.
Tremonte ka shtuar se vazhdimi i përfaqësimit është bërë “jashtëzakonisht i vështirë”, pasi Combs nuk bashkëpunon me avokatët, duke dëmtuar rëndë marrëdhënien mes tyre.
“Zoti Combs ka refuzuar për më shumë se katër muaj të komunikojë në kohë, në mënyrë konkrete dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e tij”, thuhet më tej në kërkesën drejtuar gjykatës.

Lexo edheLeonora Jakupi: “Do distancohem edhe nga familjarët nëse flasin keq për UÇK-në”
Për këtë arsye, firma ligjore i ka kërkuar gjykatës leje që të tërhiqet nga rasti.
Combs: Është vetëm çështje biznesi
Combs i ka thënë Page Six se ishte ai që kishte vendosur të ndryshonte avokatët.
“Nuk lejoj askënd të më shfrytëzojë, të më faturojë më shumë seç duhet dhe të grumbullojë fatura për shpenzime që nuk i kam miratuar kurrë”, ka deklaruar ai.
“Kjo është vetëm një çështje biznesi, ndërsa historitë për honoraret e papaguara janë thjesht pjesë e mosmarrëveshjes sonë lidhur me këto shpenzime të pamiratuara”, ka shtuar Combs.
Tremonte i ka mohuar pretendimet e tij. Avokati ka përsëritur se ekipi ligjor dëshiron të tërhiqet vetëm për shkak se Combs nuk ka paguar faturat e prapambetura dhe nuk ka bashkëpunuar me avokatët.
“Çdo pretendim se i kemi faturuar tepër për shërbimet tona është thjesht i pavërtetë”, ka deklaruar avokati./Indeksonline/














