DiCaprio ngre alarm, flet për AI

Leonardo DiCaprio ka kritikuar hapur përdorimin e inteligjencës artificiale në Hollywood, duke thënë se “nuk ka asnjë grimcë humaniteti në të”. Aktori 51-vjeçar, i shpallur së fundmi Entertainer of the Year nga revista TIME, u shpreh se arti i vërtetë duhet të vijë vetëm nga dora dhe mendja njerëzore.
Në intervistën e tij, DiCaprio u ndal edhe te trendi i fundit të videove të krijuara nga AI ku figura të famshme që nuk jetojnë më “interpretojnë” këngë moderne. Ai pranoi se këto klipe mund të duken interesante herën e parë, por sipas tij, “zhduken njësoj si gjithë mbeturinat e internetit sapo kalon moda”.
“Nuk ka asnjë pikë lidhjeje emocionale në të. Sado brilante të duken, nuk janë art i vërtetë,” deklaroi aktori.
DiCaprio foli gjithashtu për sfidën e madhe të ruajtjes së privatësisë, një luftë që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Ai u shpreh se për të pasur një karrierë të gjatë, ka mësuar të qëndrojë sa më larg vëmendjes, duke u shfaqur në publik vetëm kur ka diçka për të thënë ose promovuar.

Lexo edheEurovision 2026/ Zbulohen detaje nga shorti deri te ceremonia e gjysmëfinaleve
Për këtë arsye, aktori pothuajse gjithmonë shihet me kapelë dhe maskë, një zakon që nisi gjatë pandemisë dhe që e ka bërë pjesë të përditshmërisë së tij. Edhe në evente të mëdha, si dasma e Jeff Bezos, ai është fotografuar duke fshehur fytyrën.
Karriera e DiCaprios mori hov të jashtëzakonshëm pas suksesit monumental të Titanic, një famë që sipas tij i ndryshoi jetën përgjithmonë. Megjithatë, aktori thekson se synimi i tij kryesor ka mbetur gjithmonë i njëjtë: të rikthehet te arti i pastër, larg zhurmës dhe trendeve kalimtare si AI në kinematografi.















