back to top
Saturday, September 13, 2025
BallinaRegjionaleDrenasDha gjithçka për Feronikelin dhe u largua, rrëfimi i njeriut që e...

Dha gjithçka për Feronikelin dhe u largua, rrëfimi i njeriut që e rriti klubin nga Drenasi

Të ngjajshme

 

Ish-presidenti i Feronikelit, Ekrem Elshani, është rrëfyer në një intervistë të gjatë për Zëri.info. Ai ka folur për kohën e kaluar te Feronikeli, investimet e shumta, largimin nga futbolli, gjendjen momentale në futbollin kosovar si dhe për zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të KosovësKlubi i Feronikelit nga Drenasi pak vite më parë ka garuar në Ligën e Parë të Kosovës në futboll ndërkohë që edhe në kohën sa ka qenë pjesë e rangut elitë, nuk ka arritur rezultate të lakmueshme.

Njeriu që ia dha të mbarën kësaj skuadre ishte Ekrem Elshani, i cili arriti që ta bëjë një skuadër pretendente derisa për dy vite më radhe, drenicasit iu gëzuan titullit kampion në futbollin e Kosovës dhe një herë e fituan Kupën e Kosovës.

Elshani u largua nga klubi në dhjetor të vitit 2017 me kërkesë të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kërkoi publikisht largimin e tij.

Klubi tashmë menaxhohet nga biznesmeni i mirënjohur shqiptar, Naser Rama.

Zëri.info e ka realizuar një intervistë me Elshanin i cili menaxhon shumë biznese në Kosovë.

Elshani: Ende e përcjelli klubin e zemrës, Feronikelin

Ndonëse ka disa vite që është larguar, Elshani thotë se ende e ndjek Feronikelin, derisa shton se është i lumtur për faktin se skuadra drenicase është duke pasur suksese edhe tani.

“Po, ende e përcjelli klubin e zemrës, Feronikelin, gjithashtu edhe tërë Superligën e Kosovës. Me klubin ku ne bëmë histori, Feronikelin, jam i kënaqur sepse edhe pas periudhës tone, skuadra po ka suksese dhe ka vazhduar mirë ta mbajë atë organizim që ne e kishim arritur me mund dhe sakrificë për shumë vite”, ka thënë fillimisht Ekrem Elshani.

Gjendja e futbollit kosovar në sytë e Elshanit

Tutje, Elshani e ka vlerësuar edhe gjendjen në futbollin e Kosovës.

“Unë mendoj se nga pranimi i futbollit tonë në UEFA dhe FIFA, çdo vit është duke pasur ndryshime pozitive, e sidomos këtë vit ku është ngritur cilësia e Superligës për shumë arsye”, vlerëson ish-presidenti i Feronikelit.

Tutje, ai ka thënë se ardhja e trajnerëve dhe futbollistëve nga jashtë, po e bën më interesant futbollin kosovar.“Njëra prej tyre janë edhe investimet që po bëhen në këto vite, ku në rend të pare është shumë pozitive ardhja e shumë trajnerëve nga jashtë, të cilët po sjellin përvoja të reja në futbollin tonë. Por, njëkohësisht edhe ardhja e futbollistëve nga jashtë. Tani do të bëhet interesante edhe Liga e Parë pasi nuk do të ketë vend për të gjithë në Superligë, kampionat i cili do të bëhet me dhjetë skuadra”, tregon më tej Ekrem Elshani.

A ia vlen të investohet në futbollin e Kosovës?

Në pyetjen se a ia vlen që të investohet në futbollin e Kosovës, Elshani deklaroi: “Unë mendoj se ia vlen të investohet sidomos pas pranimit në UEFA dhe FIFA, ku së paku klubet që investojnë munden të marrin pjesë në garat evropiane dhe të fitojnë diçka nga pjesëmarrja në këto gara. Në periudhën tonë kishte shumë vështirësi, sidomos në organizim, ku klubet kanë qenë shumë keq në aspektet financiare dhe kishte vështirësi në infrastrukturë ku në një periudhë nuk kishim as ku të stërviteshim dhe as t’i zhvillojmë ndeshjet. Por me angazhim të madh, ia kemi dalur dhe fituam shumë tituj”, potencoi Elshani, i cili tani është i përkushtuar vetëm në bizneset e tij.

Duke folur për periudhën sa ishte president i klubit të madh nga Drenasi, Elshani ka folur edhe për investimet e mëdha që janë bërë nga ai së bashku me kryesinë e atëhershme të Feronikelit.

“Sa unë e kam drejtuar Feronikelin, nuk isha vetëm në ato vite, pasi ishim një kryesi shumë e organizuar dhe e angazhuar. Çdo investim e kemi bërë bashkë. Nuk dua të përmendi shifra, por investimi ka qenë shumë i madh dhe shumë i vështirë për arsye se gjendja e klubit kur kemi ardhur dhe situata ku e kemi sjellur, ka qenë sakrificë. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë ata që ishin bashkë me mua, ku kanë dhënë gjithçka për klubin si Arton Berisha, Istref Veliu dhe shumë tjerë”, tregon më tej Ekrem Elshani.

Rikthimi i mundshëm te Feronikeli

Ai nuk e përjashton mundësinë që të rikthehet në futbollin e Kosovës.

“Unë jam shumë krenar për të periudhë sa qëndrova në krye të Feronikelit. Tani jam i angazhuar në biznesin tim familjar, por në të ardhmen nuk do të thotë se nuk do të jem përsëri aty sepse kam dhënë shumë për Feronikelin dhe ky klub do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime. Një e kaluar e ndritshme, pse të mos jetë përsëri një e ardhme e ndritshme për klubin tim të zemrës”, u shpreh ish-njeriu i parë i kampionit në fuqi të Kosovës.

‘Hallakama’ në FFK nuk i pëlqen aspak

Për fund, Ekrem Elshani ka komentuar edhe ‘hallakamën’ e krijuar së fundmi në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku Arianit Ahmeti, ish-zëvendës/sekretar është shpallur kandidat për të parin e FFK-së, post të cilin e mban momentalisht Agim Ademi duke insistuar se ky i fundit ka mandat deri në janarin e vitit 2020.

Situata në fjalë nuk i ka pëlqyer aspak Elshanit, i cili thotë se mënyra se si Ahmeti po tenton që ta marrë udhëheqjen e Federatës, nuk është aspak e mirë.

“Zhvillimet e fundit në FFK nuk i kam pritur aspak mirë. Normalisht se është e dëmshme sepse po përpiqet të kapet Federata. Çdo proces i rregullt dhe demokratik është i mirëseardhur, por forma si po tentohet është e dëmshme. Unë personalisht jam kundër atyre që po përpiqen në këtë formë ta marrin udhëheqjen e Federatës”, përfundoi Ekrem Elshani në rrëfimin e tij për Zëri.info të mërkurën.

 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz