Dëshmitari ekspert, Robert Reid i cili po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Hagë, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ndjekur praktikat më të mira të procedurave gjatë operacioneve në zyrat e organizatës në shtator të vitit 2020.
Reid, i cili ka qenë shef i operacioneve në zyrën e Prokuronit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, ka thënë se në rastin OVL-UÇK, prokuroria nuk i ka ndjekur udhëzimet e punës që janë përdorur në TPNJ.
Reid është dëshmitar ekspert i mbrojtjes së Nasim Haradinaj dhe ai është përgjigjur në pyetjet e avokatit, Toby Cadman edhe për përvojën e tij 25 vjeçare në këtë fushë duke i përmendur praktikat e ndjekura në kryerjen e operacioneve dhe në ruajtjen e materialeve.
Camdan e ka pyetur atë për operacionet e ZPS-së më 8, 17 dhe 22 shtator në zyrën e OVL-UCK, për çka dëshmitari ka thënë se operacionet nuk janë kryer mbështetur në standardet e duhura dhe efektive.
“Jo unë nuk besoj që ata kana ndjekur praktikat më të mira të procedurave, nuk mendoj që ata kanë ndjekur standardet, procedurat dhe udhëzimet e standardet e punës që ne kemi përdorur në TPNJ”, ka thënë dëshmitari ekspert.
Dokumentet që i ka parë, Reid ka thënë se nuk janë të përpunuara sipas zinxhirit të ruajtjes, ndërsa prokuroria ka kundërshtuar pyetjet që lidheshin direkt me rrjedhjen e dokumenteve.
Ai ka thënë se duhet të ekzistojë dokumentacion i tërësishëm i hetuesit, i cili i ka koordinuar kontrolle dhe sekuestrimin.
“Po, duhet të eksitojë dokumentacion i tërësishëm i këtij hetuesi, i kryehetuesit së pari, një dokument që të kërkonte leje që misioni të bëhej”, ka thënë ai.
Reid ka bërë të ditur se fusha e specializimit të tij janë hetimet penale, duke theksuar se është ish-oficer policor dhe prej vitit 1994 deri në vitin 2018, ka punuar në TPNJ.
“Zinxhiri komandues është shumë i thjeshtë, bazik, porsa dokument vinë në dorën tënde duhet të jesh në dijeni se ku janë në çdo minutë të ditës dhe shtatë ditëve të javës, dhe këtë bënim kur shkonim në mision. Kishim një punonjës që merrej me dëshmitë, me provat dhe kur një grup dokumentesh merreshin ai regjistronte, ai nuk regjistronte çdo faqe të veçantë dhe çdo dokument por një dosje që ka titullin X Y, dhe pastaj sigurohej që ajo dosje të shkonte në kutinë e provave që i vihej një numër, pastaj këtë numër ai e shënonte në bllokun e inventarit, dhe ishim në gjendje të thonim me saktësi se çfarë dokumentesh përmbante çdo qese”, ka thënë dëshmitari ekspert.
Ndër të tjera, avokati e ka pyetur atë rreth përvojës së tij të vitit 1997 në Prijedor dhe në Banjalukë, ku Reid ka treguar mënyrën se si barteshin dhe ruheshin dokumentet.
“E di që ishte një proces shumë i madh, me përkthyes, ne të gjithë që shikonim të gjitha dokumentet për të bërë një inventar të hollësishëm, jo faqe për faqe por për tu dhënë autoriteteve një ide të përgjithshme të asaj që kishim marrë”.
“Pasi bëhej kjo punë dhe u jepej autoriteteve gjithçka vulosej prapë dhe dërgohej me sigurinë ushtarake, shoqëruar me ushtri, në Zagreb dhe futej në një dhomë që edhe ajo vulosej dhe jam shumë i sigurt, edhe pse nuk jam 100% por një punonjës i sigurisë rrinte në zyrë atë natë për të ruajtur dokumentet dhe të nesërmen një nga shefat e ekipit hetues dhe shoferi i sillnin ato në Hagë ku dokumentacioni i jepej sipas zinxhirit ruajtës njësisë së provave. Jam i sigurt i jepeshin shefit të kësaj njësie”, ka thënë ai, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv.