Ish-kandidati i AKR-së për kryetar të Komunës së Skenderajt Musa Dervishaj, ka bërë të ditur se një nga tre asambelistë sa ka ARK-ja në këtë komunë është shitur, kështu duke e tradhëtuar partinë me votimin e kryesisë së re të kuvendit komunal.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetin shoqëror Facebook.

Ndërkaq i pyetur se cili ishte ai që e shiti votën, Dervishaj refuzoi të japë një përgjigje konkrete duke thënë se nuk e ka të sigurt një gjë të tillë.

“Nuk e di, nuk jam shumë i sigurt. Ata nuk po e pranojnë pasi që Kuvendi ka qenë me vota të fshehura”, tha Dervishaj.

E akuzat për këtë ngjarje i adresoi në drejtim të kryetarit të ri të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, konkretisht ekipës së tij.

“Po krejt kuvendi ka qenë mjerim me shkelje procedurale me kurtha me blerje. Këtë gjë e bëri ekipa e tij. Sot ka pasur vetëm dallavere dhe sipas meje qytetari i Skenderajt i ka humbur edhe 4 vite tjera”, tha ai.

Ndryshe AKR-ja ka për asambelistë në këtë komunë, Drenushë Geci, Agron Kajtazaj dhe Pajazit Isufi. Musa dervishaj është edhe kryetar i AKR-së dega në Skenderaj. / Gazeta Lajmi/