Janë bërë 100 ditë prej se kanë përfunduar zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, përderisa dy subjektet politike që kanë fituar më së shumti vota me 6 tetor 2019, LVV-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, raporton portali “Front Online”.
Lideri i partisë më të madhe në vend, LVV-së, Albin Kurti, në fund të nëntorit të kaluar, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga KQZ-ja, pati deklaruar se Qeveria do të formohet brenda 72 orë, por as pas qindra orëve të tjera marrëveshja nuk është arritur.
Fatmir Rexhepi- Deputet i LDK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka deklaruar për Front Online se premtimi që Qeveria do të formohet për 72 orë ka qene pjesë e fushatës.
“Qeveria e vendit duhet të formohet sa më shpejtë. Premtimi se qeveria do të formohet për 72 orë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore ka qenë pjesë e fushatës, kjo mund të arsyetohet, pasi që pas rezultatit zgjedhorë është një kohë tjetër”, ka thënë Rexhepi.
E takimi i tetë ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës nuk rezultojë me marrëveshje edhe pse të dy u deklaruan se janë shumë afër arritjes së saj, nga ky takim doli një kërkesë e re nga LDK-ja, e cila po këmbëngulë në postin e kryeparlamentarit.
Rexhepi: Pres të arrihet marrëveshja në takimin e radhës
Rexhepi tha se për arritjen e kësaj marrëveshje që postet të ndahen në mënyrë të barabartë janë duke punuar grupe punuese të dy partive. Ai tha se pretë që në takimi e radhës do të ketë marrëveshje, pasi që, sipas tij, vendi është duke pasur probleme në shumë fusha.
“Të dy partitë duhet ta rrisin dinamiken e angazhimit dhe sa më shpejtë të formohet qeveria. Grupet punuese të partive po punojnë që ta gjejnë një mënyrë sa më të mirë për ndarjen e posteve në mënyrë të balancuar. Kjo çështje iu takon atyre që ta gjejnë zgjedhjen më të mirë, ne po presim që të shohim se cila është më e mirA, Qeveria duhet të formohet sa më shpejtë, miratimi i buxhetit është një çështje që nuk pret e vendi ka probleme edhe në sektor tjerë”, ka thënë Rexhepi për “Front Online”.
Heshtin në “Vetëvendosje”
E nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar të deklarohen lidhur për këtë çështje.
Anëtari i kryesisë i kësaj partie Sami Kurteshi, tha për “Front Online” se nuk i takon atij të deklarohet për këtë, pasi, sipas tij, që janë grupet punues të partisë të cila po merren me arritjen e marrëveshjes.
“Unë jam anëtar i kryesisë, ajo çfarë është thënë deri me tani dihet, janë grupet punuese të cilat janë duke punuar në këtë aspekt” ka thënë Kurteshi.