Vetëm për mëditje, delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka shpenzuar 7 mijë e 500 euro
Çdo vizitë e delegacioneve kosovare jashtë vendi i kushton buxhetit të Kosovës mijëra euro. Shpenzime të mëdha u bënë edhe gjatë kësaj vizite kur një delegacion i madh i Kuvendit të Kosovës, qëndroi para një jave në kryeqytetin shqiptar, raporton T7.
Ata morën pjesë në Lutjet e Mëngjesit që sivjet u mbajtën në Tiranë. 18 vetë morën pjesë në këtë ngjarje që nuk ka një rëndësi të veçante.
Për vetëm një ditë qëndrimi secili prej tyre merr 209 euro. Duke qenë se ky delegacion qëndroi dy netë i bie që atyre u është dyfishuar pagesa.
Dhe në bazë të llogaritjes për këtë vizitë vetëm mëditjet kanë kushtuar 7 mijë e 500. Veseli mori me veti 4 këshilltarët e tij, numër i cili sipas kabinetit të tij arsyetohet me aktivitetet e kryekuvendarit atje.
Arban Abrashi, Muharrem Nitaj, Elmi Reçica, Donika Kadaj Bujupi, Saranda Bugujevci, Armend Zemaj e Blerta Deliu Kodra. Këta emra janë në përgjgijen e sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi dhënë televizionit. Por në fotografitë shihen të jenë pjesëmarrës edhe Visar Ymeri e Dardan Sejdiu.
Këta deputetë nuk pranuan të flasin në lidhje me përvojën në Tiranë. Në anën tjetër, kundër veprimeve të kolegëve të tij është deputeti, Milaim Zeka, i cili thotë se ata po keqpërdorin postet e tyre për përfitime personale.


